E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Ish-shikasit, të rrezikshëm

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka insistuar dje për vendosjen e masës së arrestit shtëpiak për tre ish-shikasit e dyshuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, duke i cilësuar si të rrezikshëm. Kërkesa është bërë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Budjon Meçe dyshohen se vazhdojnë të konsumojnë akuzën e rrëmbimit dhe zhdukjes, pasi trupi i Remzi Hoxhës nuk është gjendur ende. Me këtë arsyetim, prokurori Xhevat Hana ka insistuar për vendosjen e masës shtrënguese para gjyqtarit Fran Prendi. Pas përsëritjes së kërkesës, prokurori është tërhequr, duke vazhduar me përgatitjen e provave, që do të vërtetojnë se ish-shikasit janë persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Burime nga akuza qendrore thanë dje për "Shqip", se prokurori i çështjes pritet të depozitojë në Gjykatën e Krimeve të Rënda disa prova, që vërtetojnë krimin në vazhdim të të akuzuarve. Prova kryesore e tij është dëshmia e një të pandehuri, pikërisht e Avni Koldashit, i cili ka "bashkëpunuar" me prokurorinë për zbardhjen e ngjarjes së tetorit të vitit 1995, ku janë rrëmbyer tre të dyshuar si agjentë të Shërbimit të Fshehtë Jugosllav. Dëshmia e tij dhe e Avdyl Loshajt do të jetë prova bindëse e organit të prokurorisë, që të kërkojë masën e ndalimit në shtëpi për të pandehurit, pasi ekziston frika se ish-shikasit mund të largohen jashtë vendit. Duket se kërkesat e prokurorisë po i paraprijnë një largimi të mundshëm të Arben Sefgjinit nga kreu i Tatimeve. Por, tashmë "topi" ka kaluar në dorën e gjykatës, e cila, nëse vendos masën e arrestit shtëpiak, atëherë Sefgjini nuk ka asnjë mundësi që të vazhdojë detyrën aktuale. Krahas Sefgjinit, prokuroria do të kërkojë masën e arrestit shtëpiak edhe për Avni Koldashin e Budjon Meçen, megjithëse ky i fundit është në gjendje jo të mirë shëndetësore në një spital.

Dy ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda tha se ekzistojnë të gjitha mundësitë që të akuzuarit për rrëmbimin dhe torturimin e Remzi Hoxhës të largohen jashtë vendit, për shkak të lidhjeve që ata kanë. Për këtë arsye, i ka kërkuar gjykatës masë shtrënguese ndaj Sefgjinit, Koldashit dhe Meçes, me qëllim parandalimin e ndonjë "arratisjeje" të mundshme. Edhe pse në poste të rëndësishme shtetërore, duke qenë se Arben Sefgjini është drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, organi i akuzës e ka parë të arsyeshme të kërkojë ndalimin e tij në shtëpi. Burimet nga kjo prokurori nuk deklarojnë nëse tre ish-shikasit kanë tentuar apo jo të largohen nga Shqipëria. Megjithatë, në rastin e Sefgjinit ekzistojnë të gjitha mundësitë të largohet "për punë" jashtë vendit, duke qenë se është kreu i Tatimeve.

Ish-drejtori i SHIK-ut për Tiranën, Arben Sefgjini, pasuesi i tij në këtë detyrë, Ilir Kumbaro, ish-shefi i bazës vëzhguese, Budjon Meçe, dhe inspektori Avni Koldashi akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, se në bashkëpunim me njëri-tjetrin në muajt shtator-tetor 1995 rrëmbyen shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli. Në të njëjtën dosje të prokurorëve thuhet se në Vajin të Lezhës u torturua për disa ditë Remzi Hoxha, ku dhe më pas gjeti vdekjen.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›