Dënohet me një vit burg 52-vjeçarja që mashtronte për vizat amerikane
Tiranë - Gjykata e Rrethit të Tiranës vendosi dje dënimin me 12 muaj burgim të Hanëme Shandorit, e akuzuar për mashtrim. Togat e zeza, që e deklaruan fajtore 52-vjeçaren, u përballën me kërkesën e Shandorit për lirimin e saj, pasi katër personave të mashtruar ajo tha se ua kishte kthyer paratë. Shandori ra në prangat e policisë në gusht të vitit 2008, pas dhjetëra denoncimeve të bëra në polici nga personat e mashtruar prej saj. Nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar se 52-vjeçarja, duke u premtuar viza për në SHBA apo punësim në Ambasadën Amerikane në Tiranë, u merrte qytetarëve shuma deri në 2 mijë euro dhe më pas ndërpriste çdo kontakt me ta, duke mos përmbushur premtimin e dhënë.
Dje u dha masa e sigurisë, i mituri tregon se si e vrau vëllanë për 500 leke
Tiranë - Gjykata e Rrethit të Tiranës vendosi dje “arrest me burg” për 15-vjeçarin e akuzuar për vrasjen e vëllait të tij.
Granit Marku ka deklaruar para gjykatës se pasditen e të dielës i kishte kërkuar nënës së tij 500 lekë, por kjo nuk ia kishte dhënë. Më pas, sipas të miturit, i vëllai i tij, Alfredi, e kishte kapur prej fyti. Në këto kushte mësohet se 15-vjeçari kishte marrë një thikë dhe e kishte goditur për ta trembur, ndërsa më pas ishte larguar nga banesa se kishte frikë se e rrihnin prindërit. Granit Marku akuzohet nga Prokuroria e Tiranës për vrasjen e vëllait të tij 23-vjeçar. Ngjarja ndodhi të dielën në banesën e familjes Marku, në Laknas, Tiranë.
KE-ja jep 1.5 milionë euro për Shkollën e Formimit Policor
Tiranë - Ministri i Brendshëm Bujar Nishani dhe kryetari i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, morën pjesë në përurimin e punimeve për rikonstruksionin e Shkollës së Formimit Policor. Financimi i projektit me vlerë 1.5 milionë euro është mundësuar nga Programi CARDS i Bashkimit Europian. Nishani, duke falënderuar për këtë ndihmesë dhe gatishmëri të treguar për të investuar në këtë institucion edukimi dhe trajnimi, u shpreh se sfidat që ka përpara Policia e Shtetit, si lufta kundër krimit të organizuar, kontrolli dhe menaxhimi i kufijve, trafiku i qenieve njerëzore, nuk mund të kompletohen nëse do të neglizhonim trajnimin e specializuar, sipas specifikave të legjislacionit aktual, të punonjësve të Policisë së shtetit.
Në këtë aspekt Nishani vlerësoi eksperiencën dhe ndihmën e dhënë nga misionet PAMECA e ICITAP për konsolidimin e arsimimit policor. Kurse kreu i Delegacionit të Komisionit Europian, Helmut Lohan, u shpreh se kjo ndihmë jepet që të krijohet ambienti i duhur për punën e forcën profesionale policore, rritjen e efikasitetit të policisë në fusha të tjera, siç janë edhe trajnimet, e në këtë mënyrë të ketë ndikim pozitiv në performancën e përgjithshme cilësore të Policisë së Shtetit.
Arrestohet Shkëlqim Aliu, autor i dyshuar për vrasjen te ish-Parku i Autobusëve
Tiranë – Forcat e Policisë së Tiranës kanë mundur të kapin autorin e vrasjes së 38-vjeçarit nga Korça te ish-Parku i Autobusëve. Sipas të dhënave të para policore për gazetën, i arrestuari quhet Shkëlqim Aliu dhe akuzohet për ekzekutimin e Shkëlqim Xhelollarit në mjedisin pranë një lokali lotarie dhe bastesh sportive te rruga “Babë Rexha”, në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në kryeqytet. Bëhet e ditur se policia ishte vënë në kërkim gjatë gjithë natës për të gjetur autorin e vrasjes së 38-vjeçarit, mbi të cilin janë derdhur 4 plumba, pasi i ishte zënë pritë në kohën kur ishte futur në një internet-kafe, ngjitur me lokalin e basteve. Dëshmitarët treguan se autori i ngjarjes u zhduk me një biçikletë për t’i shpëtuar një ndjekjeje të mundshme policore.
12 Mars 2009