E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkthimet e teksteve, jo për lëndët kombëtare

Rrokaj: Pedagogët shqiptarë nuk mund të privohen nga shkrimi i botimeve akademike

Anglishtja është gjuha e teknologjisë, e zhvillimit dhe e përparimit. Tekstet në gjuhën angleze paraqesin vlera, por padiskutim që sjellin edhe risi, jo në 100 për qind të rasteve. Ndërkohë që gjuhë të huaja me rëndësi mbeten edhe frëngjishtja, gjermanishtja e italishtja. Profesorët e universiteteve shqiptare kanë reaguar pozitivisht ndaj sugjerimit dhe udhëzimit për të nisur parapërgatitjen për procesin e përkthimeve të teksteve, megjithatë kjo nuk do të thotë se ata pas zyrtarizmit të kësaj ideje, duhet të privohen nga e drejta për të shkruar botime akademike apo për të importuar nga bota anglishtfolëse gjithçka. Për rastet që bëhen përjashtime, sigurisht që do të ketë diskutime nga palët dhe grupet e interesit para zyrtarizmit të kësaj reforme.

Tekstet kombëtare

Përfaqësuesit e universiteteve bien dakord për sa i takon propozimit për ngritjen e bordit dhe grupeve të përkthimit, megjithatë kanë nevojë për qartësim e mbi të gjitha për procedurat, mekanizmat, kohën në dispozicion, modalitetet profesionale, teknike apo për mënyrën se si do të implementohet në Shqipëri reforma e përkthimit dhe importimit të teksteve e botimeve sidomos nga gjuha angleze.

Për sa i takon deklaratës së Kryeministrit Sali Berisha, sipas së cilës fakultetet shqiptare duhet të heqin dorë nga përdorimi i teksteve të autorëve shqiptarë duke i zëvendësuar ato me tekste të përkthyera nga autorë të huaj, profesorët kanë edhe disa sugjerime konkrete para zyrtarizmit të çështjes.

Dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, autor i disa botimeve, Shezai Rrokaj, sqaron se askush nuk ka të drejtë të privojë pedagogët shqiptarë nga shkrimi i teksteve akademike. Sipas ish-rektorit të Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj, autorët shqiptarë duhet të kenë të drejtën të konkurrojnë në tregun e teksteve akademike së bashku me autorët e huaj.

Importimi i botimeve dhe tekstet kombëtare

Duke theksuar rëndësinë e marrjes së sa më shumë përvojave nga vendet e zhvilluara, dekani Rrokaj thekson se ekzistojnë lëndë të karakterit kombëtar që nuk mund të importohen.

Ndërsa duke iu referuar përcaktimit të anglishtes si gjuhë e detyrueshme për studentët, dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, deklaron se nuk duhen lënë pas dore as gjuhët e tjera si frëngjishtja, gjermanishtja apo italishtja.

Sipas profesorateve, investimi për përkthim kërkon në radhë të parë vendosje të mekanizmave dhe më pas motivimin dhe stimulimin e profesorëve që do të merren me përkthime.

Po ashtu, duhet të vendosen kritere dhe kushte mes botuesve e profesorëve e mbi të gjitha duhet sqaruar konkretisht dhe saktësisht funksioni dhe ndarja e kompetencave mes botuesve e redaktorit shkencor. Pritet që për vitin e ri shkollor dhe akademik të nisë procesi i konkurrimit për sa i takon paraqitjes së teksteve dhe botimeve të përkthyera, sidomos nga gjuha angleze. Për kriteret, detajet dhe kushtet që duhet të plotësojnë konkurrentët, procedurat do të bëhen transparente dhe publike në kohë, nga Ministria e Arsimit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›