E Diel, 1 Nëntor 2026

Studentët ‘pushtojnë’ TV gjatë fjalës së Karamanlisit

 

Rreth 20 studentë kanë ‘pushtuar’ dje televizionin shtetëror grek, në kohën që kryeministri Karamanlis fliste përpara kamerave për luftën kundër korrupsionit dhe gjendjen në të cilën ndodhej Greqia. Për më shumë se një minutë ata paraqitën banderola ku shkruhej: “Mjaft shikuat, dilni në rrugë” dhe “Lirojini të gjithë ata që arrestuat”. Televizioni shtetëror grek, NET nuk bëri asnjë koment. Protestuesit u kanë bërë thirrje policëve, që përleshen në rrugë me ta, që të tërhiqen dhe të çarmatosen. Ata kanë kërkuar edhe zgjidhje për rritjen e pabarazisë sociale. Të rinjtë ishin pjesëmarrës në protestat kundër policisë për vrasjen e 15-vjeçarit më 6 dhjetor, bashkuar me protestat për kushte më të mira ekonomike, të cilat dje shënuan ditën e tyre të njëmbëdhjetë. Ndërhyrja e protestuesve ndodhi kur po transmetohej edicioni i lajmeve dhe po jepej edhe fjalimi i Kryeministrit. Megjithatë, zyrtarë të policisë greke e kanë ‘vlerësuar’ ndërhyrjen e paqme të së rinjve. “Ata arritën të hyjnë shumë paqësisht. Nuk kanë ushtruar asnjë lloj force dhe kërkuan që protesta e tyre kundër vrasjes së 15-vjeçarit të përçohej gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë”, tha një oficer policie i mbetur anonim. Kanali shtetëror grek ka transmetuar imazhe të protestuesve për disa momente, pasi u ndërpre fjalimi i kryeministrit para deputetëve në Parlament. “Problemet e pazgjidhura prej kohësh i kanë zhgënjyer të rinjtë. Ato janë mungesa e meritave, korrupsioni në jetën e përditshme dhe padrejtësia sociale”, tha Karamanlis në fjalim. “Lufta kundër këtyre fenomeneve është e vështirë, por ne jemi zotuar për ta kryer”, theksoi ai në fjalimin që u ndërpre nga të rinjtë, të cilët hynë qetësisht në kanalin televiziv. Megjithatë, nuk kanë qenë të gjithë paqësorë në protestat e tyre. Rreth 30 të rinj të maskuar kanë sulmuar dje zyrat qendrore të policisë në Athinë. Të rinj të tjerë janë përleshur me policinë edhe në veri të qytetit në vijim të protestave, që lindën nga vrasja e 15-vjeçarit. Sipas “Reuters”, të rinjtë hodhën bomba benzine dhe gurë në ndërtesë, duke shkaktuar dëme të forta në shtatë makina dhe autobusi policie të parkuara jashtë ndërtesës. Nxënës të shkollave kanë bllokuar rrugën dhe adoleshentët janë mbledhur jashtë gjykatës qendrore të kryeqytetit grek dhe një burgu të sigurisë së lartë, ku kanë hedhur gurë kundër policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›