Caktohen gjyqtarët e Prifti-Beqiraj

Video Prifti-Beqiraj
TIRANE – Gjykata e Lartë përzgjodhi dje me short Kolegjin Penal që do të shqyrtojë dosjen me të pandehur ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti dhe ish-zëvendësin e tij, Leonard Beqiri, të akuzuar për korrupsion. Burime zyrtare konfirmuan se relatore e çështjes do të jetë gjyqtarja Mirela Fana. Prokuroria e Përgjithshme e dorëzoi në gjykatë dosjen në ngarkim të Priftit dhe Beqirajt më 8 mars. Hetimet ndaj tyre nisën gjatë hetimeve të dosjes Meta-Prifti, ku eksperti amerikan zbuloi një videoregjistrim të realizuar nga ish-ministri Prifti, ku ai vetë shfaqej duke ndarë një sasi parash me ish-vartësin Beqiraj. Sot, më datë 15.03.2012, në Gjykatën e Lartë u zhvillua hedhja e shortit për caktimin e trupës së gjyqtarëve që do të gjykojë çështjen e regjistruar në Gjykatën e Lartë me nr. 6/12 akti, në ngarkim të Dritan Priftit dhe Leonard Beqirajt, me kërkues Prokurorinë e Përgjithshme, parashikuar nga neni 25 dhe neni 260 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, njoftoi dje Ida Vodica, shefja e marrëdhënieve me median dhe publikun në Gjykatën e Lartë. Sipas këtij burimi, kolegji penal do të kryesohet nga gjyqtarja Mirela Fana, ndërsa anëtarë do të jenë gjyqtarët Fatos Lulo, Arjana Fullani, Aleksandër Muskaj dhe Gani Dizdari. Në kolegjin e përzgjedhur bie në sy fakti që dy nga gjyqtarët, konkretisht gjyqtarët Arjana Fullani dhe Gani Dizdari, kanë qenë pjesë e trupës gjykuese edhe në dosjen Meta-Prifti. Nuk dihet nëse prania e tyre në kolegjin penal të procesit ndaj ish-zv.kryeministrit Meta përbën shkak për papajtueshmëri ligjore në gjykimin ndaj Priftit dhe Beqirajt.