Kavajë, sherr për Ujësjellësin

Elvis Roshi, kreu i Bashkisë së Kavajës
Kryebashkiaku Elvis Roshi: Ndërmarrja është pa drejtues që nga janari, s’ka konflikte.
Drejtori padit kreun e Bashkisë, akuza nga 4 komuna.
Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi dhe drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve në këtë zonë kanë hyrë në konflikt mes tyre, ndërsa kjo çështje është bërë objekt i policisë. Burime nga Policia kanë thënë se Komisariati i Kavajës ka nisur procedim penal për kreun e Bashkisë, Elvis Roshi, me akuzën për vetëgjyqësi. Kallëzimi ndaj tij mësohet se është bërë nga drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve të Kavajës, Elidon Plaku. Burime nga Policia thanë se ndaj Roshit ka nisur hetimi pas një kallëzimi penal të bërë nga shtetasi Elidon Plaku, me detyrë drejtor i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Kavajë. Në kallëzim, Plaku shpjegon se dy ditë më parë, Elvis Roshi ka shkuar në institucionin e Ujësjellësit me pretendimin se kjo ndërmarrje i përket Bashkisë, duke kërkuar shkarkimin e drejtorit Plaku dhe zhvillimin e një mbledhjeje për të zgjedhur drejtorin e ri. Për këtë arsye ka pasur një konflikt mes dy zyrtarëve dhe duke pretenduar se Roshi po ushtron një të drejtë që kujton se i përket dhe që nuk njihet nga drejtuesi, në këtë rast i Ujësjellësit, pa iu drejtuar organit kompetent shtetëror. Nisur nga kjo shkelje, që parashikohet edhe në nenin 277 të Kodit Penal, duke u cilësuar si vetëgjyqësi, Elidon Plaku ka kallëzuar penalisht kryebashkiakun Roshi. Nga ana tjetër, Elvis Roshi, i kontaktuar nga gazeta “Panorama”, është shprehur se nuk ka asnjë dijeni për nisjen e procedimit penal ndaj tij. Roshi shprehet se Elidon Plakun e njeh si jurist dhe jo si drejtor i Ujësjellësit, pasi kjo ndërmarrje që prej 20 janarit të këtij viti është pa drejtues për shkak të përfundimit të mandatit të ish-drejtorit Besnik Shamata. “Kam kërkuar të bëj një mbledhje për zgjedhjen e drejtorit, pasi ajo ndërmarrje është pa drejtues dhe kanë qenë të pranishëm bashkë me mua, avokati e juristi i Bashkisë, punonjës të Ujësjellës-Kanalizimeve, media, madje edhe Elidon Plaku, i cili mua më është prezantuar si punonjës i Bashkisë dhe unë nuk e njoh si drejtues të Ndërmarrjes. Nuk kam pasur asnjë konflikt me të dhe kjo gjë është lehtësisht e vërtetueshme, pasi ka qenë edhe media e pranishme aty”, është shprehur Roshi. Nga ana tjetër mësohet se dy ditë me parë, me iniciative të Bashkisë së Kavajës si aksioneri me përqindjen më të madhe të pronësisë është zhvilluar mbledhja e radhës, por katër kryetarë komunash nuk kanë marrë pjesë. Në emër të komunave Synej, Luz i Vogël, Helmës dhe Lekaj, kryetari i komunës Synej, Përparim Çaça, ka deklaruar se mbledhja e dy ditëve më parë ka qenë e paligjshme, ndërkohë që kryetarët e Bashkisë Kavajë dhe komunave Golem dhe Kryevidh kanë shkaktuar dhunim të institucionit duke bërë që drejtori i Ujësjellësit, Elidon Plaku, të depozitojnë dhe kallëzimin penal pranë Komisariatit të Policisë. Kryetarët e komunave që akuzojnë Bashkinë e Kavajës për dhunim të institucionit pretendojnë se (statuti i vjetër i shoqërisë së Ujësjellësit) është i vlefshëm derisa të miratohet statuti i ri, por nga Bashkia e Kavajës bëhet e ditur se ligji i ri u jep të drejtë aksionerëve që kanë shumicën e aksioneve që të thërrasin mbledhjen që kërkohet.
e.d/l.m
Konflikti
Prej kohësh shoqëria e Ujësjellës-Kanalizime Kavajë nuk gjen gjuhën e përbashkët për zhvillimin e një mbledhjeje me pjesëmarrjen e të gjithë aksionerëve, ku të mund të zgjidhet këshilli mbikëqyrës dhe drejtori i ri i Ndërmarrjes. Kjo shoqëri përbëhet nga 7 aksionerë, me kapital tërësisht shtetëror, të cilët janë: Bashkia e Kavajës dhe komunat Synej, Luz i Vogël, Lekaj, Helmës, Golem dhe Kryevidh. Në lidhje me këtë problem reagoi dje nënkryetarja e Bashkisë së Kavajës, ku ka bërë të ditur se akuza e 4 kryetarëve të komunave është tërësisht e pabazë. Fatbardha Biturku tha se komunat në fjalë kanë pasur një njoftim zyrtar nga aksioneri më i madh i shoqërisë, që është Bashkia e Kavajës.