E Shtunë, 31 Tetor 2026

Calciopoli ka qene nje farse

“Calciopoli” ka qenë një farsë. Ky mund të jetë përfundimi i atij që pesë vjet e gjysmë më parë u cilësua si skandali që tronditi themelet e futbollit italian. Faktet e reja rreth asaj ngjarjeje kanë dalë në dritë pas deklaratave të njërit prej hetuesve, i cili kishte rol aktiv në këtë çështje.

Hetuesi, ende i paidentifikuar ka vendosur të thyejë heshtjen, duke lëshuar deklarata bombë. Bëhet fjalë për një person të mirëinformuar, pasi ai ishte njëri prej 12 njerëzve të cilët kishin detyrën që të dëgjonin dhe zbardhnin telefonatat e përgjuara. Ai tregon si u zhvilluan hetimet, njerëzit kyç të ngarkuar në këtë detyrë, anomalitë dhe gjithçka që mbeti për gjysmë dekade e mbyllur në sirtar dhe tashmë mund të përmbysë perceptimin e krijuar për “Calciopolin”.

Pjesa më pikante e rrëfimit të hetuesit, është kur flet për një anomali që përsëritej shpesh dhe shkaktonte boshllëqe të dukshme në hetim. Ai tregon sesi serveri i përgjimeve kishte mjaft probleme me linjën gjatë ditës, ndërsa kjo ndërprerje shkaktonte humbjen e 30 telefonatave njëherësh në secilin rast kur ndodhte. Përgjegjësi i serverit ishte koloneli Aurikio, drejtuesi i hetimit që solli dënimin e Luçiano Moxhit dhe të asaj që njihej si “Kupola”.

Një tjetër deklaratë e dëshmimtarit lidhet me zhdukjen e të ashtuquajturave fashikuj e me “tre vija të kuqe”. Edhe pse kjo shenjë tregonte se përgjimi ishte i rëndësisë së lartë, disa prej telefonatave, ku një pjesë e të cilave fajësonin edhe Interin, janë zhdukur. Sërish përgjegjës ishte koloneli Aurikio.

Por, pika që ka ngritur më shumë diskutime ishte edhe deklarata e hetuesit rreth ndëshkimeve të ish-drejtuesve dhe të klubeve, ku më tepër u penalizua Juventusi. Ai tha se gjatë përgjimeve të telefonatave, nuk u zbuluan asnjëherë ndeshje që ishin vërtetë të manipuluara, me qëllimin për të favorizuar një skuadër të caktuar, apo ku gjyqtari ishte i përfshirë. Ato thjesht nuk ekzistojnë dhe kjo e bën gjyqin “Calciopoli” një farsë, e cila kishte si synim të vetëm fundosjen e “Zonjës së Vjetër”, që ishte shndërruar në superfuqi në Serinë A italiane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›