E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi Sirena angleze

Hamdi Salihi duket gati për të nisur aventurën më të rëndësishme në karrierën si futbollist. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare pritet të largohet nga Rapidi i Vjenës në merkaton e janarit dhe destinacioni i tij i ardhshëm mund të jetë Premier League angleze. Fakti që ai nuk ka pranuar të rinovojë kontratën me kushtet e klubit austriak kanë nxitur edhe lënien e gjatë të “bomberit” në stol nga trajneri Shëtel.

Por, gjithçka mund të zgjidhet në fillim të vitit 2012, pasi disa klube elitare angleze kanë shfaqur interes për të pasur shërbimet e 27-vjeçarit. Rapidi duket se është dorëzuar dhe ka pranuar faktin se do të humbasë sulmuesin, ndërsa tashmë drejtuesit e skuadrës presin ofertën më të përshtatshme financiare.

Duke qenë se kontrata e Salihit përfundon gjatë verës së ardhshme, klubi vjenez ka vendosur ta shesë lojtarin, pasi kjo është mundësia e fundit që mos të humbasin me parametër zero, një prej golashënuesve më të mirë në histori.

Sulmuesi shqiptar, i cili iu bashkua Rapidit në verën e vitit 2009 nga Riedi, ka shënuar 42 gola në 66 ndeshje zyrtare, duke tërhequr vëmendjen e mjaft klubeve, ndërsa deri më tani ai ka pasur oferta nga Turqia, italianët e Kievos, ukrainasit e Dinamos së Kievit apo rusët e Spartakut të Moskës.

Vlera e kartonit të shkodranit vlerësohet në rreth 1 milionë e gjysmë euro, ndërsa ai cilësohet si një sulmues më i mirë se kroati Nikica Jelaviç, i cili kaloi nga Rapidi te skocezët e Gllausgou Rejnxhërs për afro 5 milionë euro në verën e vitit 2010.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›