Cameron & Clegg, qeveria e ndryshimeve sizmike
“Koalicioni që do të drejtoj, do të jetë i bashkuar dhe do të japë një qeverisje stabile dhe të fortë”. Këto janë fjalët e prononcuara dje nga kreu i ri i qeverisë britanike, David Cameron, i cili një ditë më parë ia doli mbanë të krijojë një marrëveshje me Partinë Liberal-demokrate dhe të formojë kabinetin qeveritar një javë pas zgjedhjeve të përgjithshme. Cameron, në këtë konferencë të parë për shtypin, ishte i shoqëruar nga zëvendësi i tij, Nick Clegg, lideri i laburistëve. Clegg, në një humor të mirë, tha se së bashku me konservatorët do ta çonin Britaninë në një drejtim të ri historik. Në qendër të axhendës së përbashkët të konservatorëve dhe liberal-demokratëve do të jetë reduktimi i deficitit buxhetor, pastrimi i politikës dhe krijimi i një shoqërie të fortë. Clegg, i cili njeh rreziqet e mëdha që dalin përpara dhe përgjegjësinë që rëndon mbi shpatullat e kësaj qeverie, u zotua për një reformë të gjerë dhe të thellë të qeverisë. Në qeverinë e ardhshme të përbashkët do të ketë pesë liberal-demokratë dhe bëhet fjalë për koalicionin e parë të këtij lloji që do të ndajë pushtetin në historinë e Britanisë së Madhe.
Mbërritja e Cameron në “Downing Street” shënon edhe fundin e sundimit 13-vjeçar të laburistëve në Britaninë e Madhe. Lideri konservator që është gjashtë muaj më i vogël se Blair kur mori pushtetin në vitin 1997, është Kryeministri më i ri që ka pasur vendi në 200 vitet e fundit, pra që nga viti 1912. Konservatorët kanë fituar në zgjedhjet e së enjtes së kaluar pjesën më të madhe të vendeve në Parlament, vendin e dytë e zunë laburistët dhe vendin e tretë, për të parën herë, liberal-demokratët. Pikërisht ata ishin edhe guri i peshës që do të ndihmonin të dyja partitë e mëdha për të bërë koalicionin e duhur qeverisës. Sigurisht që edhe laburistët, në një moment të caktuar, shpresuan se do të arrinin një marrëveshje me liberal-demokratët, por ata që në fakt e arritën këtë ishin konservatorët. Marrëveshja e famshme është arritur të premten në darkë dhe menjëherë pas saj, Kryeministri Brown ka dhënë dorëheqjen, duke i hapur rrugë pasardhësit të tij që të ulet në karrigen e Kryeministrit të Britanisë së Madhe. Për Cameron-in, qeveria e re do të sjellë “një ndryshim historik dhe sizmik” në politikën britanike. Të dyja partitë kanë vendosur që të krijojnë një koalicion të plotë në të gjitha emrat dhe të krijojnë formën e një administrate të bashkuar rreth tre parimeve bazë: lirisë, drejtësisë dhe përgjegjësisë.
“Dhe kjo do të jetë një administratë e bashkuar përreth një qëllimi të vetëm kyç, i cili është t’i japim vendit një udhëheqje të fortë dhe të qëndrueshme, që do të na duhet ta kemi për një kohë të gjatë”, deklaroi Cameron. Një nga problemet më të mëdha me të cilat do të ndeshet qeveria e ardhshme është ulja e numrit të të papunëve, që në fakt përbëjnë edhe një nga shenjat e gabimeve ekonomike që janë bërë gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Sipas Cameron dhe Clegg, asnjë qeveri në kohët moderne nuk po trashëgonte një katastrofë të tillë ekonomike sa qeveria e re britanike. “është një qeveri e re, radikale, qeveri reformash që do të jetë një burim sigurie dhe shprese në një kohë paqartësish të mëdha në vendin tonë”, deklaroi Clegg.
Ndërkaq Cameron është duke u marrë me caktimin e emrave të anëtarëve të qeverisë. Për sa i përket marrëveshjes në qeverinë e re, pritet që në vendet e ministrave dhe zëvendësve të tyre të marrin pjesë rreth 20 liberal-demokratë.
#