E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cameron hedh poshtë akuzat kundër BP-së

Kryeministri britanik David Cameron hodhi poshtë spekulimet se koncerni energjetik BP ka kryer në vitin 2009 lobing për lirimin e atentatorit të Lockerbie-së, Abdel Baset al Megrahi.

Pas vizitës së tij të parë tek presidenti amerikan, Barack Obama, Cameron tha në Washington se qeveria rajonale e Skocisë e liroi Megrahin nga burgu, vetëm për arsye humanitare.

Disa senatorë amerikanë e kishin akuzuar BP-në se ishte angazhuar për lirimin e Megrahit, për të lidhur një marrëveshje nafte me Libinë.

Gjatë atentatit të Lockerbie-së në vitin 1988 u vranë 270 vetë, shumica e tyre shtetas amerikanë.

Cameron tha se vendimi i Skocisë për të liruar autorin e sulmit në Lockerbi ishte “plotësisht i gabuar”.

Cameron shtoi se qeveria skoceze është e vetmja përgjegjëse për lirimin e Abdelbaset Ali al-Megrahi dhe nuk duhet fajësuar gjiganti i naftës British Petrolium për këtë vendim.

Cameron hodhi poshtë mundësinë për hetime rreth kësaj çështje.

Irani dhe Afganistani ishin dy tema të tjera që zunë vend të rëndësishëm në takimin Obama-Cameron.

“Irani duhet të heqë dorë nga përpjekjet për prodhimin e armëve bërthamore. Kërkojmë nga regjimi iranian që të rifillojë bisedimet me bashkësinë ndërkombëtare pa vonesë. Por në mungesë të një partneri të vullnetshëm ne do të zbatojmë me përpikëri sanksionet e Kombeve të Bashkuara, Në Evropë do të marrim edhe masa të tjera shtesë në këtë drejtim”, tha Cameron.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›