Cameron kerkon te mbroje Britanine nga kriza

Situata në Europë mund të përmbyset në rast se autoritetet nuk japin përgjigjet e duhura për problemet e ndryshme që vijojnë të kërcënojnë besimin e vendeve në tregje. Rreziku për një përkeqësim të eurozonës do të jetë me pasoja të rënda për të gjithë. Janë këto mesazhet që kryeministri britanik Cameron drejton për liderët e tjerë europianë.
Vërejtjet e Cameron ka të ngjarë të irritojnë udhëheqësit e tjerë evropianë në përpjekje për të mbajtur të paprekur zonën euro.
Eurozona gjendet në një situatë të vështirë. Mund edhe t’ia dalë por ka rrezik për një thyerje ka thënë David Cameron gjatë takimit me biznesmenët britanikë.
“Ose Europa të gjejë rrugën e duhur për të krijuar një Eurozonë të besueshme, stabël dhe të sukseshme, me instrumentë të duhur të mbrojtjes, bankat të mirëkapitalizuara dhe rregulluara, me një sistem tatimor të përshtatshëm dhe politikë monetare të mbështetur nga të gjithë, ose përndryshe do të gjendet në territor të panjohur e cila mbart rreziqe të mëdha për të gjithë", vuri nw dukje Cameron.
Komente këto që vijojnë pas atyre të guvernatorit të Bankës së Anglisë Mervyn King, i cili është shprehur se Eurozona po shpërbëhet dalëngadalë pa asnjë zgjidhje konkrete, duke kërcënuar ekonominë britanike dhe sektorin bankar.
Cameron dhe ministri i Financave George Osborne, i cili po shkurton shpenzimet qeveritare si pjesë e një plani të ashpër shtatë-vjeçar, bëhen shembull për fqinjët e tyre evropiane mbi nevojën për të rregulluar financat e tyre publike.
“Tani më shumë se kurrë është momenti të jemi të vendosur. Jemi duke ecur në rrugën e duhur pa u nxituar por duke gjykuar me vëmendje dhe për këtë u kemi rezistuar zërave të rrezikshëm që na kërkojnë të tërhiqemi. Po bëjmë të pamundurën për të qenë një vend i fortë dhe me rritje të qëndrueshme ekonomike”, vlerësoi ai.
Cameron ka përdorur mundësinë e një dështimi grek dhe frikën se Greqia mund të largohet nga euro për të argumentuar se shkurtimet e shpenzimeve jo publike në Britani janë të nevojshme dhe ka premtuar se do bëjë gjithcka për të mbrojtur ekonominë e vendit dhe bankat nga një rrëzim i eurozonës.