Obama dhe takimi i madh amerikan
Presidentët amerikanë mund të mbrojnë vizione shumë më kollaj se politikanët e tjerë. Por shndërrimi i këtyre vizioneve në realitet, është për ta po aq i vështirë sa edhe për kolegët e tjerë që nuk kanë influencën dhe ndikimin e pushtetit të tyre. Ndihmësit e Barak Obamës e mësuan një mësim të tillë edhe njëherë në konferencën për shtyp para takimit për sigurinë bërthamore, në të cilin Obama ka ftuar dje dhe pardje liderët e 47 vendeve të botës. Ndihmësit e Presidentit amerikan u përpoqën shumë që ta bënin sa më të qartë vizionin e shefit të tyre për një botë pa armë bërthamore, për një të ardhme sa më të paqtë dhe të sigurt për të gjithë planetin. Në këtë konferencë madje doli edhe vetë Presidenti, për të bërë një deklaratë: “Ne e dimë se organizata të tilla si ‘Al Kaeda’ janë në proces për të siguruar armë bërthamore”. Sipas tij, nëse ata do të kishin sukses në një ndërmarrje të tillë, atëherë kjo do të përbënte kërcënimin më të madh ndaj sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të ndryshonte peizazhin e sigurisë brenda dhe jashtë vendit.
Megjithatë, gazetarët që morën pjesë në këtë konferencë hapëse të hënën e kaluar, ishin më pak të përqendruar në çështjen e terrorizmit bërthamor, sesa në çështje të tjera më të vogla që u diskutuan gjatë takimit. Për shembull, që kur Kryeministri i Izraelit, Benjamin Natanjahu, vendosi ta shmangë pjesëmarrjen e tij në këtë konferencë të rëndësishme, që është e para e përmasave të tilla e drejtuar nga një President i Shteteve të Bashkuara gjatë periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore, sipas gjasave për të shmangur pyetjet që mund t’i bëheshin për arsenalin bërthamor të vendit të tij.
Ata kanë qenë shumë më kuriozë të dinë se si mund të përkthehet një veprim i tillë në kuadrin e paqes në Lindjen e Mesme. Ata ishin kuriozë, gjithashtu edhe mbi faktin e pranisë së Presidentit kinez në këtë konferencë dhe mbi të gjitha mbi ndikimin e saj në procesin që po ndodh për vlerësimin e monedhës kineze mes Pekinit dhe Uashingtonit. Një tjetër çështje për të cilën ata ishin të interesuar që në fillim të konferencës, ishte edhe qëndrimi që do të mbajë Obama në rastin e problemeve në Nigeri dhe në Kirgistan. E megjithatë, takimi i dy ditëve të fundit, i thirrur nga Presidenti amerikan për çështjen e sigurisë bërthamore, një lloj takimi shumë më i zgjeruar se ai i G20, edhe pse i së njëjtës natyrë, është një takim historik edhe nga këndvështrimi i standardeve të Uashingtonit. Kurrë më parë si dje dhe pardje nuk është organizuar në kryeqytetin amerikan një takim me pjesëmarrje kaq të gjerë krerë shtetesh. Madje ka pasur nga ata që kanë bërë një krahasim mes këtij takimi dhe atij të organizuar në vitin 1945, në konferencën e San Franciskos, që çoi në krijimin e Kombeve të Bashkuara. Në këtë këndvështrim, edhe shkalla e konsensusit në këtë takim duket po aq e lehtë sa në atë takim të San Franciskos. Pjesa më e madhe e vendeve të botës, me përjashtim të Koresë së Veriut, është në një mendje për sa i takon interesit që kanë në kufizimin e kërcënimit që paraqitet nga armët bërthamore. Një nga temat e tjera të konferencës, përveç asaj të mbrojtjes së arsenalit bërthamor, ishte edhe sigurimi i plutoniumit dhe uraniumit të pasuruar që mund të gjendet në botë. Ndihmësi i Obamës për kufizimin e përhapjes së armëve bërthamore tha: “Këto janë dy materialet që mund të përdoren për shpërthime të tipit bërthamor. Nëse do të bien në duar joshtetërore, atëherë rreziku do të ishte i madh. Në të kundërt, mund të themi se do ta kishim zgjidhur rrezikun e terrorizmit bërthamor në shkallë të gjerë”. Ekspertët vlerësojnë se për prodhimin e një bombe të vogël bërthamore duhen 25 kilogramë uranium i pastër.
Por një sasi e madhe e plutoniumit dhe uraniumit të pasuruar ndodhet e shpërndarë në 40 vende në të gjithë botën. Një pjesë e këtij materiali përdoret nga vendet për qëllime civile. Sipas burimeve të organizatave joqeveritare, sasia ekzistuese e këtij materiali në botë do të mjaftonte për të përgatitur 120000 armë bërthamore. Ekspertët bërthamorë, si ata të Universitetit të Harvardit, paralajmërojnë se shpërthimi i një bombe bërthamore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ishte shkatërrimtar. Për sa i përket Obamës, që e ka shumë mirë parasysh këtë rrezik të madh për vendin e tij, ai e bëri çështjen bërthamore një nga çështjet më kryesore të fushatës së tij zgjedhore dhe hapat e fundit që po ndërmerr, tregojnë se pavarësisht problemeve të mëdha me të cilat po përballet, vazhdon që ta ketë shumë për zemër një çështje të tillë. Gjatë fushatës, ai njoftoi se do të donte që të siguronte të gjitha materialet e rrezikshme në të gjithë botën brenda një periudhe 4-vjeçare. Ky ishte edhe objektivi i samitit që u zhvillua në Shtetet e Bashkuara. Kjo përputhet shumë mirë edhe me vizionin e tij për një botë pa armë bërthamore, një vizion-ëndërr të cilin e artikuloi për herë të parë në takimin e Pragës gjatë vizitës së parë që bëri në këtë vend në vitin 2009. Javën e kaluar, Obama dhe Presidenti rus, Medvedev, nënshkruan traktatin e çarmatimit, po në Pragë, traktat që synon reduktimin e mëtejshëm të arsenalit bërthamor të Rusisë dhe SHBA-së. Në fakt, bëhet fjalë për vizione shumë të guximshme, të cilat edhe vetë Obama ndoshta e di se nuk do t’i shohë të gjitha të realizuara brenda një kohe të shkurtër. Dhe pavarësisht zotimeve të tij për përcaktimin e një “plani konkret” gjatë takimit, askush nuk pret ndonjë përfundim që do të ketë një ndikim të menjëhershëm në terren.
Ndërsa për sa u përket çështjeve problematike të arsenalit bërthamor të Iranit, mund të thuhet se kjo është një çështje që kërkon shumë më tepër se seancat e një takimi 2-ditor për t’u diskutuar. Por të paktën, në qershor Obama pret që ndaj këtij vendi të vendoset një varg i ri sanksionesh të rrepta. Për këtë qëllim, Presidenti e përdori takimin si një tribunë dhe mundësi për të organizuar takime bilaterale, pra kokë më kokë, me liderë të vendeve të ndryshme. Opinionet në lidhje me rrezikun e përhapjes dhe rënies në duar të këqija të arsenalit bërthamor në të gjithë globin, janë të ndryshme. Kur Obama shkoi në Rusi, Ukrainë dhe Azerbajxhan, si një senator i ri në vitin 2005, ai u habit nga mënyra krejt e pasigurt me të cilën ruheshin shumë materiale të rrezikshme bërthamore në këto vende. Sipas tij, ato merreshin lehtësisht në dorë nga njerëz me qëllime të qarta, me mjete të sofistikuara dhe me shumë para. Që nga ajo vizitë, në vitet në vijim arsenali bërthamor i ish-vendeve të Bashkimit Sovjetik sigurohet në mënyrë shumë më të mirë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë investime të mëdha për t’i ndihmuar shtetet e ndryshme të botës që të sistemojnë arsenalin e tyre bërthamor dhe armët e rrezikshme.
Pavarësisht gjithë këtyre shqetësimeve, shumë vende ende nuk e marrin kërcënimin nga armët bërthamore në mënyrë serioze. Madje, sipas shumë sondazheve, vendet e Europës Lindore as që e kanë marrë ndonjëherë seriozisht këtë problem. Në këtë kategori futen edhe vendet e Lindjes së Mesme. Sipas tyre, bëhet fjalë për histori Hollivudi. Madje në këtë kuadër, edhe vizioni i Obamës për një botë pa armë bërthamore pritet me shumë skepticizëm në shumë pjesë të globit. Ndërkohë, të pakët janë ata që mund të thonë me siguri se sa është shkalla e mbështetjes që ka Obama për këtë plan në vendin e tij. Në fakt, skepticizmi për vizionin e tij për një botë pa armë bërthamore, gjendet jo pak edhe në rrethin e njerëzve të afërt të Obamës, dhe debati në lidhje me këtë gjë ka kohë që është ndezur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tashmë nuk është e qartë as nëse Senati do ta ratifikojë pa problem traktatin e çarmatimit të nënshkruar së fundmi nga Obama dhe Medvedev. Ndërkohë, liderët republikanë kanë shfaqur kundërshtinë e tyre për këtë traktat, me motivin se kërcënon sigurinë kombëtare. Ish-kandidatja për numrin dy të presidencës, Sarah Palin, tha se politika e Obamës për çështjet bërthamore të kujton gjykimin e një fëmije të vogël dhe naiv. Megjithatë, Obama duket i vendosur që t’u shkojë deri në fund premtimeve të tij dhe kjo konferencë e tregoi më së miri këtë.
#