E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cameron, kryeministri i ri britanik

Udhëheqësi i Partisë Konservatore në Britani, David Cameron, është kryeministri i ri i vendit pas dorëheqjes së Gordon Brownit të Partisë Laburiste nga ky post.

43-vjeçari Cameron foli ne selinë e kryeministrit në Downing Street pasi pranoi zyrtarisht kërkesën e Mbretëreshës për të formuar një qeveri të re.

Partia Konservatore e David Cameron fitoi numrin më të madh të vendeve në zgjedhjet parlamentare javën e shkuar, 306, por jo një shumicë absolute.

Tani pritet që konservatorët të formojnë një koalicion qeverisës me partinë Liberaldemokrate e cila doli e treta në zgjedhje pas laburistëve qeverisës.

Konservatorët kanë zhvilluar bisedime për disa ditë me liberaldemokratët pasi zgjedhjet nuk nxorën një parti me shumicë absolute.

Më parë bisedimet midis laburistëve në pushtet dhe liberlademokratëve kishin dështuar .

Në ditët në vazhdim pritet që kryeministri i ri britanik Cameron të formojë qeverinë e re dhe të dalin hollësirë e koalicionit qeverisës me liberaldemokratët.

Koalicioni i ri

Cameron tha se ai synonte të formonte “një koalicion të duhur dhe të plotë” me liberaldemokratët për të paraqitur “një qeveri të fortë dhe të qëndrueshme”.

Gjatë fjalimit të tij të parë në selinë e tij të re, 10 Downing Street, Cameron tha se ai dhe udhëheqësi liberldemokrat Nick Clegg “do të lënë mënjanë mosmarrëveshjet partiake dhe do të punojnë me forcë për të mirën e përbashkët dhe interesin kombëtar”.

Ai i bëri homazh kryeministrit në largim Brown për vitet e tij të gjata në shërbim të publikut dhe tha se do të përballej me “problemet urgjente” të Britanisë - defiçitin, problemet sociale dhe reformimin e sistemit politik.

Cameron tha se do të merren “vendime të vështira”, por shtoi se ai do ta ndihmonte popullin për të shkuar “drejt kohërave më të mira përpara”. /bbc/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›