Cameron uron Thaçin
Kryeministri Hashim Thaçi ka marrë të mërkurën një telegram urimi nga homologu i tij, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, me rastin e rizgjedhjes në postin e kryeministrit të Qeverisë së Kosovës.
Në telegramin e urimit, kryeministri Cameron pasi uron Thaçin për rizgjedhjen në postin e kryeministrit thekson se e ardhmja e Kosovës qëndron në integrimin evropian dhe në NATO.
“Shpreh gatishmërinë time që të thellojmë bashkëpunimin mes dy qeverive tona, duke punuar ngushtë në reformat e rëndësishme, të cilat janë të domosdoshme për arritjen e këtij qëllimi”, thotë Cameron.
Në telegramin e urimit, kryeministri Cameron po ashtu shpreh rëndësinë e fillimit të dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, të cilin e vlerëson si një moment të rëndësishëm për Kosovën.