E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshje për agjendën integruese të Kosovës

Nga Express më 23 mars 2011 në ora 12:52

Pavarësisht se tash e sa kohë drejtuesit e institucioneve të Kosovës theksojnë se janë përmbushur të gjitha kriteret për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, gjithçka që mund të thonë ata për këtë udhërrëfyes është referimi në deklaratat e komisionerit për zgjerim të Komisionit Evropian, Stefan Fuele thënë në tetor të vitit të kaluar se Kosova shumë shpejtë do ta marrë këtë udhërrëfyes.

Megjithatë, Ministria e Integrimit Evropian dhe ajo e Punëve të Jashtme, kanë ndërmarrë hapa konkretë për shtyrjen përpara të agjendës së integrimit të Kosovës në BE.

Ministrja e Integrimeve Vlora Çitaku dhe ministri i Punëve të Jashme Enver Hoxhaj të mërkurën kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunim, përmes të cilës parashihet që Kosova ta ketë një diplomat në Bruksel, përkatësisht pranë ambasadës së Kosovës atje, në mënyrë që t’i përcjellë proceset integruese në Bashkimin Evropian.

Ministri Hoxhaj ka thënë se kjo marrëveshje është bërë me qëllim të përshpejtimit të hapave integrues.

“Kjo marrëveshje synon që ta mbështes Republikën e Kosovës, institucionet e Kosovës që procesi i lëvizjes pa viza të jetë një proces i cili së shpejti do të bëhet realitet në Republikën e Kosovës dhe për këtë arsye të dy ministritë tona kanë rënë dakord që realisht të gjejnë një zgjidhje institucionale përmes ambasadës sonë ku do të ketë një diplomat, i cili në mënyrë intensive do të jetë në dispozicion të ministres Çitaku, t’i përcjellë të gjitha proceset integruese në Bashkimin Evropian, t’i raportojë ministres dhe ne ta kemi një agjendë shumë më aktive, agresive dhe dinamike në procesin e liberalizimit të vizave”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka theksuar padrejtësinë që u bëhet qytetarëve të Kosovës, duke thënë se 50 milionë qytetarë të Ballkanit Perëndimor kanë të drejtë të lëvizjes së lirë pa viza në Bashkimin Evropian, përderisa 2 milionë qytetarë të Republikës së Kosovës janë të përjashtuar nga procesi i liberalizimit të vizave.

Ministrja Vlora Çitaku nga ana e saj ka thënë se Ministria e Integrimeve Evropiane ka arritur që ta akreditojë një zyrtar pranë ambasadës së Kosovës në Bruksel, i cili do të merret ekskluzivisht me ndërlidhjet mes Komisionit Evropian dhe MIE-së, mirëpo nuk ka bërë të ditur se kush do të jetë ky zyrtar, përveçse ka thënë se do të angazhohet një person që ka njohur për procesin e integrimeve evropiane.

“Po ashtu përmes kësaj marrëveshje, të gjitha misionet diplomatike që ka Kosova në vendet anëtare të BE-së, do të kenë prioritet kyç raportimin dhe ndërlidhjen me vendet anëtare dhe shtyrjen përpara të agjendës evropiane të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Mirëpo ministrja Çitaku nuk ka mundur të jap kurrfarë afatesh kohore për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, por ka thënë se kriteret për këtë udhërrëfyes tashmë janë përmbushur.

“E tëra çka mund të them unë tani është të përsëris atë që komisioneri për zgjerim Fuele ka thënë në tetor të vitit të kaluar se Kosovës shumë shpejtë do t’i jepet udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Unë nuk jam e thirrur të flas në emër të Komisionit Evropian, por flas në emër të Qeverisë së Kosovës dhe mund të them me përgjegjësi të plotë se ne si institucione kemi përmbushur të gjitha kriteret që udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave të merret sa më shpejtë”, është shprehur Çitaku.

Ajo ka mohuar të ketë ngecje në çështjen e riatdhesimit, duke thënë se është miratuar Ligji dhe strategjia për riatdhesim dhe se në buxhetin e vitit 2011 është përfshirë edhe buxheti prej 3.2 milionë euro për zbatimin e kësaj strategjie.

Ministrja Vlora Çitaku do të udhëtojë nesër për në Bruksel, ku do të takohet me komisionerin për zgjerim Stefan Fuele dhe me Komisionin për punë të brendshme dhe tregti dhe në fokus të vizitës do të jetë shtyrja përpara e agjendës evropiane të Kosovës dhe marrja e udhërrëfyesit për liberalizimit të vizave. (KosovaPress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›