E Shtunë, 31 Tetor 2026

Camp Nou pershendet Guardiolen

Spektakli i fundit përpara lamtumirës. Përfundon mes duartrokitjeve cikli i jashtëzakonshëm i Pep Guardiolës, që gjatë javës së kaluar zyrtarizoi vendimin për t’u larguar nga Barcelona në fund të sezonit.
Të shtunën në mbrëmje, pikërisht në derbin kundër Espanjolit, trajneri “blaugrana” zhvilloi ndeshjen e fundit në shtëpi, përballë tifozëve të “Camp Nou”. Pavarësisht se kampionati ishte i mbyllur, në stadium janë paraqitur 99 mijë tifozë, të cilët kanë përshëndetur dhe duartrokitur trajnerin që i dhuroi shumë triumfe.
Dashuria e fansave për Pep u tregua gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa pas fitores 4-0 të Barcelonës, gjithçka u shndërrua në një festë për Guardiolën, por edhe për futbollin. Pas fërshëllimës finale, ndërkohë që në ekranin e madh të “Kamp Nou” shfaqeshin imazhe të karrierës së tij si lojtar dhe trajner dhe të sukseseve të arritura, tifozët thërrisnin në kor emrin e Guardiolës.
“Nuk do të më humbisni kurrë”, tha mes emocioneve Guardiola. “Kjo do të zgjasë gjithë jetën, nuk do ta harroj kurrë. Jeta po më bën një dhuratë shumë të bukur”. Të emocionuar ishin edhe futbollistët e Barcelonës, mes të cilëve kapiteni Karles Pujol.
Lojtarët e kanë përshëndetur trajnerin duke e hedhur fillimisht lartë dhe më pas skuadra, së bashku me të gjithë stafin dhe drejtuesit janë rrotulluar rreth tij në qendër të fushës. Sa për kronikë, ndeshja përfundoi 4-0 me “poker” të Lionel Mesit që u ngjit në kuotën e 50 golave në La Liga, ndërsa një prej momenteve më emocionuese erdhi pas golit të katërt të yllit argjentinas, që vrapoi në stol për ta përqafuar teknikun.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›