Salihi rrjeta e dyte amerikane

Hamdi Salihi nuk ndalet më. Pasi u zhbllokua vetëm dy ditë më parë, tashmë sulmuesi shqiptar realizon edhe rrjetën e dytë në kampionatin amerikan, Major Soçer League. Shkodrani gjeti rrugën e rrjetës edhe në takimin e javës së 11-të, ku skuadra e tij DC United fitoi me rezultatin 2-0 në fushën e Torontos.
Salihit, që vazhdon të aktivizohet si zëvendësues, I mjaftuan vetëm pak minuta në fushën e lojës, për të shënuar. Ai u aktivizua në të 71-tën, ndërsa në minutën e 76-të, kuqeziu e dërgoi topin në rrjetë pas një aksioni nga goditja e këndit.
Goli ishte spektakolar, me një gjysmëkthesë të zakonshme të “bomberit” shqiptar, që I humbi bukur mbulimit të mbrojtjes dhe me një koordinim perfekt mposhti portierin dhe ngriti shifrat në 2-0, duke mbyllur virtualisht ndeshjen. Më parë për DC United kishte shënuar Pontius në të 56-tën.
Për Salihin kjo ishte rrjeta e dytë radhazi në kampionatin amerikan dhe tashmë duket se sulmuesi i ka kaluar problemet e ambientimit. Me formën e mirë që po tregon dhe mbi të gjitha me golat, tashmë 28-vjeçari prêt të fitojë edhe vendin fiks në formacionin titular, për të konfirmuar edhe përtej Atlantikut famën si goleador.
Ndërkohë, skuadra nga Uashingtoni mbetet në vendin e dytë të klasifikimit dhe me një ecuri të tillë, e me golat e Salihit, kualifikimi në fazën “play-off” për të pretenduar më pas titullin duket një objektiv i realizueshëm.