E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seria A dy gola per Canen

Ai nuk është një sulmues, madje as një mesfushor ofensiv, megjithatë karakteri i fortë e bën që të japë një kontribut edhe tek porta kundërshtare. Lorik Cana shënoi golin e tij të dytë në Serinë A italiane, në fitoren 2-0 të Lacios në fushën e Atalantës, në javën e parafundit të Serisë A. Ishte ky një gol shumë i bukur, një shpërblim i merituar për përkushtimin e shqiptarit nga Kosova.
Cana shënoi në fund fare duke vulosur fitoren e miqve dhe duke qenë ende me shpresë për t’u kualifikuar për në Ligën e Kampionëve. Goli i parë për kryeqytetasit u shënua nga Libor Kozak në minutën e 35-të, ndërsa skuadra e Edoardo Rejës e pati më të lehtë në pjesën e dytë pasi vendasit mbetën me 10 lojtarë. Standardo doli jashtë me të kuqe në minutën e 81-të.
Goli i parë i Canës ishte shënuar në Leçe, në 10 dhjetor të vitit të kaluar, kur Lacio fitoi me rezultatin 3-2. Loriku shënoi në nisje të pjesës së dytë për avantazhin 2-1 të ekipit të tij.
Duke u kthyer tek java e parafundit e Serisë A, lufta për vendin e tretë mbeti e hapur, pasi Udineze bëri detyrën në shtëpi duke fituar 2-0 ndaj Xhenoas. Di Natale shënoi në pjesën e parë, ndërsa miqtë mbetën me 9 lojtarë pasi dy futbollistë u përjashtuan me kartonë të kuq. Në pjesën e dytë për Udinezen shënoi Floro Flores.
Napoli mori një goditje të rëndë në Bolonjë, duke humbur 0-2 dhe duke pasur shumë pak shpresa për Championsin. Diamanti dhe Di Vaio ishin autorët e golave vendas. Në luftën për rënien nga kategoria, asgjë nuk ka ndryshuar pasi Xhenoa ka sërish 39 pikë dhe Leçe 36. Njëra nga këto të dyja do të bjerë, ndërsa gjenovezët luajnë në shtëpi ndaj Palermos dhe Leçe shkon në fushën e Kievos në javën e fundit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›