E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Camuzzi”, probleme serioze në Argjentinë



Firma italiane “Camuzzi”, e cila ka ofruar dhe më pas ka mohuar projektin për ndërtimin e centralit bërthamor në Shqipëri, madje është inkurajuar edhe nga vetë kryeministri Berisha me deklaratat e tij, rezulton të jetë e përfshirë në kontradikta me shtetin e Argjentinës në vitin 2001. “Camuzzi”, e cila kontrollon tregun e furnizimit me gaz në vendin amerikano-jugor, ka “përfituar” nga kriza ekonomike e Argjentinës dhe për shkak të pamundësisë së saj për ta subvencionuar, e ka paditur në një gjykatë arbitrazhi si dhe në Qendrën Ndërkombëtare për Rregullimin e Konflikteve të Investimeve në Uashington. Madje, duke pretenduar se është dëmtuar edhe nga zhvlerësimi i monedhës argjentinase, përfaqësuesit e kësaj firme kanë kërkuar një dëmshpërblim financiar prej 172 milionë dollarësh. Por shteti argjentinas, në kundërpërgjigjen gjatë ballafaqimit gjyqësor, ka pretenduar se “në rast se do të kishte pasur ndonjë dhunim, argumentohet se ajo do të prekte vetëm licencën dhe jo firmat “Sodigas Sur” apo “Sodigas Pampeana”, të cilat janë aksionare të licencës. Po kështu nuk do të ishin prekur as kompanitë e kontrolluara apo në pronësi të “Camuzzit”, të cilat, nga ana tjetër, nuk plotësojnë kërkesat e përcaktuara në nenin 25(2)(b) të Konventës”, - thuhet në objeksionin e shtetit argjentinas pranë kësaj gjykate. Duke fajësuar pikërisht mungesën e subvencionimit nga ana e qeverisë argjentinase, përfaqësuesit e kësaj firme janë justifikuar për pamundësinë e pagesës së aksionarëve dhe furnitorëve. Hugo Krajnc, drejtori i Marrëdhënieve me Publikun i “Camuzzi Gas del Sur”, ka thënë se distributori i gazit natyral nuk u ka paguar dividendin prej 30 milionë dollarësh amerikanë aksionarëve të vet, ndërkohë që edhe ka refuzuar të paguajë furnitorët. Kjo bëhet e ditur nga “Biznes Njuz Amerikas”. Sipas Kranjc-it, kompania i kishte derdhur paratë për dividendët shtesë të vitit të shkuar. Gjithsesi, aksionarët kanë marrë një pagesë prej 26 milionë dollarësh në formën e dividendit në mars të vitit 2001, në bazë të rezultateve fiskale të vitit 2000.

13 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›