Komiteti i Helsinkit: “Të mos vonohet më reforma zgjedhore”
Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut shprehin shqetësimin e tyre për vonesën e theksuar për realizimin e reformës zgjedhore. Në një deklaratë për shtyp, KSHH dhe GRDNJ i kanë tërhequr vëmendjen politikës shqiptare për vonesat që po shkaktojnë realizimit të reformës zgjedhore. “Edhe pas ndryshimit të sistemit zgjedhor më 21 Prill 2008, megjithëse kanë kaluar 53 ditë, puna për ndryshimet përkatëse në Kodin Zgjedhor nuk ka filluar. Pritmëria është gjithashtu shqetësuese. Ka mundësi që partitë politike parlamentare, për çështje të veçanta të reformës zgjedhore, të përgatisin projektet e tyre. Megjithatë, sipas mendimit tonë, kjo praktikë relativisht e mbyllur dhe e kufizuar, vështirë të japë rezultatet e dëshiruara, sepse do të kufizonte kohën e diskutimit dhe debatit gjithëpërfshirës”, thuhet në deklaratën e këtyre dy organizatave jofitimprurëse. Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut kanë bëra gjithashtu edhe disa propozime, të cilat sipas tyre do të ndihmonin në realizimin e reformës zgjedhore. Sipas tyre sistemi i ri zgjedhor (proporcional rajonal) do të kërkonte përcaktimin e modaliteteve përkatëse. Kjo mund të ishte një temë e nxehtë diskutimi për shkak se lidhur me këtë çështje mendojmë se do të jenë të pranishme interesat e ngushta partiake, që mund të kapërcehen me durim, transparencë dhe konsensus. Administrata zgjedhore duke filluar qysh nga organizimi, përbërja dhe kompetencat e KQZ-së dhe deri te Komisionet e Qendrave të Votimit dhe Numërimit të votave, do të ishte gjithashtu një objekt tjetër diskutimi dhe debati. Ne do të sugjeronim që me këto rregullime të reduktohej në minimum ndërhyrja dhe ndikimet politiko-partiake, që në të kaluarën, siç dihet është shoqëruar me pasoja të dëmshme. Për KSHH-në dhe GSHDNJ-në rëndësi të veçantë duhet t’i kushtohet infrastrukturës zgjedhore që është kryesisht detyrë e qeverisë. Kemi parasysh kartat e identitetit, regjistri elektronik i kompjuterizuar i zgjedhjeve në bazë të sistemit të adresave etj. Të metat, boshllëqet dhe përvoja negative në zgjedhjet e mëparshme imponojnë që ky proces të ndiqet dhe të monitorohet në vazhdimësi.
13 Qershor 2008