Irani kundërshtoi ”ëndrrën bërthamore” të Shqipërisë
Fill pas deklaratës së bujshme të kryeministrit Berisha për energjinë e atomit shtatë muaj më parë, Ambasada e Iranit ka kundërshtuar mundësinë e ndërtimit të një centrali bërthamor në vendin tonë. Sipas ambasadorit të Iranit në Shqipëri, Alibeman Eghbali Zarch, të njëjtat standarde duhet të ndiqen për të gjitha vendet. Ambasadori u shpreh nëpërmjet një komunikate për shtyp se nuk duhet të ndiqen standarde të dyfishta për vende të ndryshme. “Standardet duhet të jenë të njëjta për të gjitha vendet”, - u shpreh ambasadori Alibeman Eghbali Zarch. Irani pozicionohet kundër çdo vendi, i cili kërkon të ndërtojë centrale bërthamore për shkak se vendi i tyre është ndaluar të pasurojë uraniumin. Deklaratat e kryeministrit Sali Berisha u kundërshtuan nga Irani me idenë se standardet duhet të jenë të njëjta, që në rastin konkret i bie që centrali bërthamor në vendin tonë është i pamundur të ndërtohet. Ambasadori iranian, Alibeman Eghbali Zarch, u shpreh kundër edhe disa iniciativave të vendeve të rajonit, të cilat kanë në plan zhvillimin e teknologjisë bërthamore. Ai përmendi rastin e Turqisë dhe të Italisë, të cilat kanë kthyer në axhendën e tyre ndërtimin e centraleve bërthamore për të prodhuar energji të lirë.
13 Qershor 2008