E Diel, 1 Nëntor 2026

Centralet bërthamore, italianët prishin pazarin me Berishën

Firma “Camuzzi” përgënjeshtron qeverinë pas 7 muajsh. Reagon opozita: “Premtimet e Berishës janë demagogji”

Habjon Hasani
Iku Prodi, iku dhe “Camuzzi”! Ky duket se është rezultati pas një deklarate të beftë të bërë dy ditë më parë nga selia e kësaj firme në Milano, e cila ka deklaruar se ”nuk parashikon dhe nuk ka aspak në plan, madje nuk ka pasur kurrë një projekt për ndërtimin e ndonjë centrali bërthamor me qeverinë shqiptare”. Në fakt kjo firmë u paraqit në mënyrë publike nga qeveria disa muaj më parë si një nga dy firmat që kishin shfaqur interes në ndërtimin e këtyre centraleve në Shqipëri. Njoftimi zyrtar për përfshirjen e kësaj firme në projektin e centralit bërthamor erdhi fill pas vizitës së ish-kryeministrit Romano Prodi në Tiranë. Përfshirja e kësaj firme u konfirmua edhe nga disa media italiane asokohe. Megjithatë, duket se “Camuzzi” “është zgjuar” pas shtatë muajsh duke e përgënjeshtruar në mënyrë paksa të ashpër këtë fakt. “Ne jemi një firmë që investojmë në gazsjellëse“, - deklaron “Camuzzi” duke nxjerrë blof qeverinë shqiptare sikur të kishte ngatërruar adresën, ose më saktë gazin me atomin. Por ky reagim i “Camuzzi”-t është paksa i vonë dhe ndoshta nuk do të ishte e tepërt të thuhej se është edhe pak inatçi në kushtet kur kjo firmë nuk e bëri përgënjeshtrimin për muaj me radhë, por vetëm atëherë kur në lojë hyri “Enel”, e cila shfaqi publikisht interesin ndaj ftesës së Berishës dy javë më parë.
Opozita
Ashpër e ka komentuar këtë deklaratë të “Camuzzi”-t Taulant Balla, deputet i PS-së. “Kryeministri Berisha, sa herë që dështon në një fushë të caktuar të ekonomisë, mundohet të gjejë zgjedhje në demagogjinë dhe blofet e veta. Demagogji dhe mashtrim duket se është edhe blofi i kryeministrit për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shqipëri”, - ka deklaruar Balla. Por ndonëse opozita e paraqet deklaratën e “Camuzzi”-t si një rezultat i mashtrimeve të qeverisë, i sigurt është fakti se nëse ka qenë mashtrim nuk ka qenë vetëm i qeverisë shqiptare, por edhe i mediave italiane. Megjithatë “Camuzzi” nuk pipëtiu asnjë fjalë për ditë të tëra, ndërsa mediat artikulonin planet e saj për ndërtimin e centraleve bërthamore në Shqipëri.
Deklarata
Strumbullari i gjithë kësaj historie është bërë njoftimi për shtyp i faqes zyrtare të Kryeministrisë pak kohë më parë. ”Pasi i kanë raportuar për ecurinë e investimit të tyre në ngritjen e një fabrike për prodhimin e pjesëve të këmbimit për industrinë bërthamore në Durrës, përfaqësuesit e ‘Camuzzi Holdin sps’ i kanë prezantuar kryeministrit Berisha interesin e kompanisë së tyre dhe të ”Westinghouse” (një kompani e mirënjohur kjo në Amerikë për prodhimin e reaktorëve bërthamorë), për të prodhuar edhe në Shqipëri energji bërthamore. Kryeministri Berisha, pasi ka prezantuar situatën energjetike në Shqipëri, me programin dhe reformat që ka ndërmarrë qeveria në këtë drejtim, u ka bërë me dije përfaqësuesve të këtyre dy kompanive se qeveria që ai drejton është e hapur për futjen e energjisë bërthamore në Shqipëri. Pasi të vlerësohet dhe të studiohet në mënyrë të gjithanshme problemi, në kuadrin e përfshirjes së të gjitha alternativave për të siguruar energjinë elektrike në vend, do të konsiderohet edhe ndërtimi i një centrali bërthamor në Shqipëri”, - përfundon deklarata, e cila është përgënjeshtruar nga “Camuzzi” dy ditë më parë.

13 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›