E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi vendos heqjen e imunitetit të Mediut, do të votohet të hënën në seancë



Më në fund Kuvendi i hapi rrugën fillimit të hetimeve për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka mbledhur dje në mesditë Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, ku është shqyrtuar kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të ish-ministrit Mediu. Gjatë mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet dy relatorët, deputeti i Partisë Republikane, Arian Madhi dhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Besnik Dervishi, paraqitën relacionet e tyre mbi kërkesën e prokurores së Përgjithshme "Për autorizim për procedim penal ndaj deputetit Fatmir Mediu". Pas leximit të raporteve respektive kryetarja e Kuvendit Topalli la disa ditë kohë që anëtarët e këtij këshilli të njihen me relacionet e dorëzuara dhe të paraqesin, nëse kanë, vërejtjet dhe mendimet e tyre ditën e hënë paradite, datë 16 qershor 2008. Pikërisht gjatë mbledhjes së të hënës së ardhshme Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet do të miratojë një raport integral përfundimtar. Ndërkohë që në seancën e pasdites së hënë deputetët do të votojnë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu. Në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve të gjithë anëtarët, në unanimitet shprehën edhe një herë qëndrimin e tyre pro heqjes së imunitetit të deputetit Mediu. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, do të hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme për pozicionin e tij për ngjarjen e Gërdecit, e cila është cilësuar nga qeveria si një aksident teknologjik, në të cilin, më 15 mars të këtij viti, gjatë shpërthimit të një depoje të demontimit të armëve, humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjetër mbetën të plagosur.

13 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›