E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punonin tokën, gjejnë 18 predha

 

LUSHNJE/ Majlinda Rama

Ndërsa punonin tokën, nxjerrin mbi dhe 18 predha të Luftës së Dytë Botërore. Tre fermerë të fshatit Kashtëbardhë në komunën Karbunarë të Lushnjës u bënë dje dëshmitarë të një zbulimi të rrezikshëm. Një pjesë e predhave ishin ende me djegore dhe një goditje e fortë do të shkaktonte një tragjedi për banorët e zonës. Sipas tyre, predhat ishin të kalibrave të ndryshëm. Sapo kanë konstatuar objektet e para, banorët ndërprenë punën, duke lajmëruar policinë. Në këtë zonë, sipas vetë banorëve të fshatit nxirren herë pas here predha të tilla, të cilat dalin në sipërfaqe pas punimit të tokës. "Sa herë punojmë tokën, shfaqen këto mjete luftarake të një rrezikshmërie të lartë. Jo vetëm ne jemi të rrezikuar, por edhe fëmijët. Predhat ndodhen në sipërfaqe, ndërkohë që në ato pjesë toke të papunuara predhat janë fare pranë. Ne si fshat disa herë kemi grumbulluar predha dhe i kemi lënë anës tokave. E keqja është se këto lëndë shpërthyese në disa raste kanë edhe djegoret, të cilat i bëjnë tepër të rrezikshme, pasi mund të plasin edhe nga një gur që mund t'i godasë. Duhet të largohen këto predha se do na marrin jetën". Ata shprehen të shqetësuar se e gjithë toka është e minuar dhe tani që është sezoni i punimit të saj rreziku është më i pranishëm, pasi jo gjithkush është i kujdesshëm. "Jo vetëm tokat, por dhe kanalet kullues pranë arave janë të mbushura me këto predha. Disa prej tyre janë totalisht të ndryshkura, por shumë të tjerë duken në gjendje të mirë. Edhe fëmijët kanë gjetur predha dhe kësaj i trembemi më shumë, se mos nga kureshtja dhe pakujdesia i shpërthejnë dhe na bëjnë hatanë". Kështu kanë treguar për gazetën vetë banorët të kësaj zone, të cilët shtojnë se pasi grumbullojnë predhat njoftojnë organet kompetente, që bëjnë edhe tërheqjen e këtyre lëndëve të rrezikshme plasëse. Sipas dëshmitarëve okularë, këto predha i përkasin periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe janë shpërndarë në të gjithë fshatin. "Gjatë stinës së verës kur në fshatin tonë ranë disa zjarre dëgjoheshin shpërthimet e municioneve në të gjithë zonën. Edhe xhamat e shtëpive u thyen dhe në shtëpitë afër tokave u shkaktuan disa dëmtime. Jetojmë me frikën se mos predhat shpërthejnë natën dhe na gjejnë të papërgatitur. Duhet gjetur zgjidhje për të hequr predhat nga i gjithë fshati. Nga Kashtëbardha kanë ikur shumë bashkëfshatarë të mi dhe janë shpërngulur në fshatra të tjerë. Këtu jeta është e pasigurt, po na detyrojnë të ikin nga shtëpitë". Mes frikës për një të ardhme të pasigurt banorët e kësaj zone shtojnë, se Kashtëbardha pak e nga pak po braktiset totalisht dhe shumë shtëpi të fshatit janë lënë të shkreta. Forcat e policisë së Lushnjës kanë bërë grumbullimin dhe dërgimin e predhave në komisariat, ndërsa priten ekspertët e ushtrisë për këqyrjen e tyre.

Zona, ndalesë e ushtrisë italiane
Më të vjetrit e këtij fshati tregojnë se kjo zonë është e njohur prej vitesh, se ka qenë e njohur si një nga epiqendrat e ushtrisë italiane, trupat e të cilës dislokoheshin pikërisht këtu, duke depozituar edhe sasi të konsiderueshme municionesh. "Herë pas herë, - tregojnë të moshuarit, - janë gjetur fishekë, granata, fitila, kallëpe dinamiti e disa armë që i përkasin shekullit të kaluar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›