E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana & Kuqi: Të festojmë së bashku

Blerim HALIMI, (Kosova Sot)
Të shtunën, në stadiumin e qytetit në Prishtinë, do të zbarkojnë yjet e futbollit kosovar, për t'u ballafaquar me Përfaqësuesen e Kosovës, në një ndeshje revyale, e cila krahas karakterit festues të pavarësisë së vendit, do të ketë edhe karakter bamirësie. Në prag të kësaj ndeshjeje, FFK-ja ka mbajtur një konferencë me media, ku kanë qenë të pranishëm edhe dy futbollistët kosovarë që luajnë jashtë, Shefki Kuqi dhe Lorik Cana. Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, i përshëndeti Canën dhe Kuqin, duke i quajtur ambasadorë të futbollit tonë. "Ju uroj mirëseardhje në vendlindjen tuaj, në shtetin më të ri në botë dhe ju jam mirënjohës në emër të FFK-së që iu keni përgjigjur pozitivisht ftesës për këtë ndeshje", ka thënë Vokrri. Ai më pas ka bërë të ditur se kjo ndeshje ka edhe qëllim humanitar, pasi 1 euro nga cdo biletë e shitur, do të shkojë për të prekurit nga sindromi i Daunit, derisa cmimi i biletave do të jetë 3 euro për tribunën perëndimore dhe 2 euro për atë lindore. Ndërkaq, Lorik Cana bëri të ditur se iniciativa për zhvillimin e kësaj ndeshjeje ka filluar nga FFK-ja, ku si qëllim ka qenë grumbullimi i të gjithë futbollistëve kosovarë që luajnë jashtë, në mënyrë që t'u jepet mundësia të paraqiten para tifozëve të vendlindjes së tyre, por më pas ai si ambasador i UNDP-së, ka propozuar që kjo ndeshje të ketë edhe karakter bamirësie dhe një pjesë e të ardhurave nga kjo ndeshje të shkojnë atje ku ka nevojë. "Propozimi im hasi në përkrahje të plotë nga drejtuesit e federatës dhe më vjen mirë që krahas karakterit festiv, ne me lojën tonë do t'i ndihmojë ata që kanë nevojë", ka shtuar Cana. Ai ka ftuar tifozët që të vijnë në numër sa më të madh në ndeshjen e së shtunës. "Tifozët kosovarë do të kenë rastin t'i shohin disa prej lojtarëve tanë që luajnë jashtë dhe që deri më tash nuk kanë pasur rast të luajnë në vendlindjen e tyre. Pra, tifozët me praninë e tyre në stadium do të kenë mundësi të kënaqen me lojë, por njëherësh edhe do të ndihmojnë ata që kanë nevojë", tha Cana. Edhe Shefki Kuqi u shpreh i lumtur që do të jetë pjesë e këtij spektakli të futbollit. "Për mua është kënaqësi e vecantë pjesëmarrja në këtë ndeshje, sepse do të luaj për herë të parë në vendlindjen time. Adhuruesit tanë, të cilët na ndjekin në cdo ndeshje kur luajmë me skuadrat tona qoftë përmes televizionit apo gazetave, tash do të kenë rastin të na shohin nga afër dhe besoj se do t'i kënaqim me lojë", ka thënë Kuqi. Ndërkohë, përzgjedhësi i përfaqësueses, Edmond Rugova ka shprehur kënaqësinë që më në fund po realizohet një ndeshje e tillë me yjet e futbollit kosovar. "Ka kohë që kemi bërë përpjekje për t'u realizuar kjo ndeshje dhe jam i lumtur që tashmë po bëhet realitet dicka e tillë. Për mua kjo ndeshje ka shumë dimensione. Do ta festojmë Pavarësinë e vendit, pastaj hyrjen në fuqi të Kushtetutës, por edhe do të ndihmojmë ata që kanë nevojë. Njëherësh do t'i mbledhim këtu shumicën e yjeve kosovare dhe do ta shohim forcën e vërtet të futbollit kosovar. Shumica e futbollistëve e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, kurse deri më tash ende nuk kam marrë asnjë përgjigje negative. Gjithsesi, ka mundësi që ndonjëri prej lojtarëve të ftuar në ditët e fundit të anulojë udhëtimin, por rëndësi ka që një numër i konsiderueshëm i futbollistëve do të jenë në këtë ndeshje, pasi tashmë janë për pushime në vendlindje", ka thënë Rugova. Krejt në fund, Lorik Cana në shaka ka thënë se dëshiron që skuadrën e Yjeve ta drejtojë babai i tij, Agimi, por a do të jetë ish-futbollisti i gjeneratës së artë të Prishtinës ‘timonier' i yjeve mbetet të shihet. Ndeshja ndërmjet Përfaqësueses së Kosovës dhe Yjeve, do të zhvillohet në orën 16:00, duke pasur parasysh se në orët e mbrëmjes janë ndeshjet e Kampionatit Evropian që po zhvillohet në Zvicër e Austri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›