E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana drejt Volfsburg, por Arsenal e pret

 

Lorik Cana ka zgjedhur Volfsburgun, madje është gati të firmosë me kampionët e Gjermanisë një kontratë katër-vjeçare. Lajmin e ka bërë të ditur dje media franceze “football.fr”, sipas të cilës mbeten për t’u zgjidhur vetëm detajet përfundimtare të marrëveshjes mes lojtarit dhe skuadrës gjermane. Ndërkaq, Marseja ka pranuar që ta lërë të lirë futbollistin për një shumë prej shtatë milionë eurosh në këmbim të kartonit të tij. Kampionët e Bundesligës 1 ishin në bisedime prej kohësh me mesfushorin e Kombëtares shqiptare, por vetëm dje kanë mundur të marrin miratimin e lojtarit dhe të klubit për këtë transferim. Përveç, Canës, klubi i Volfsburgut është i gatshëm të marrë edhe shokun e tij të skuadrës, Karim Ziani, por me pagë shumë më të ulët se ajo e shqiptarit. Ndërkohë Arsenal nuk heq dorë nga shqiptari, ndonëse për momentin është i përqendruar më tepër te braziliani Felipe Melo. Burime pranë Lorik Canës bënë të ditur dje se mesfushori kuqezi shpreson që të kalojë te “topçinjtë”, pavarësisht se oferta e Volfsburgut ka qenë joshëse dhe se ai mund ta firmosë kontratën me gjermanët të hënën. Gjatë ditës së sotme pritet një përgjigje përfundimtare nga drejtuesit e skuadrës angleze. Në rast se ata do ta shtyjnë sërish bisedën me menaxherët e Canës, atëherë pritet që nesër futbollisti shqiptar të nënshkruajë për Volfsburgun.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›