Tetë fitoret e transfertave evropiane
Leonard Karaj
Janë pak në numër por në të gjitha rastet kanë rezultuar mjaft pozitive përderisa kualifikimi për në turin tjetër mbetej veçse një formalitet. E nis Tirana (asokohe 17 Nëntori) në një pasdite vjeshte të 1 tetorit 1986 në stadiumin "Stefan cel mare" të Bukureshtit ndaj Dinamos, në turin e parë të Kupës së Kupave (1-2). Për statistikë Tirana pati fituar edhe ndeshjen e parë (1-0) në "Qemal Stafa" ndaj rumunëve dhe ndeshja e kthimit pritej të kthehej në një goleadë nga ana e vendasve. Fatmirësisht rezultoi si fitorja e parë e një skuadre shqiptare në Kupat e Evropës në transfertë. Ndërkohë, fitorja e Vllaznisë në Irlandë mbrëmjen e së enjtes ka qenë e teta e sigluar jashtë nga ekipet shqiptare në pjesëmarrjet në Kupat e Evropës.
Vllaznia
2-1 i arritur nga shkodranët në Irlandë mund të cilësohet edhe si një rekord tjetër më vete, pasi është fitorja e parë jashtë e një ekipi shqiptar në kompeticionin e Ligës së Evropës sipas formulës së re të vendosur nga UEFA. Vllaznia mban gjithashtu edhe rekordin e fitoreve më shumë nga skuadrat shqiptare plot katër të tilla në tri kompeticione të ndryshme në Kupat e Evropës (Kupën e Kupave, Kupën Intetoto dhe Kupën UEFA, tashmë e quajtur Liga e Evropës). Fitorja e parë e Vllaznisë rezulton ajo e Kupës së Kupave ndaj maltezëve të Sliema Vanderers (0-4). Kjo ka qenë edhe fitorja më e thellë dhe e fundit e klubeve shqiptare në këtë kompeticion i cili pas viteve 90-të u shkri nga UEFA. Dy fitoret e tjera të kuqebluve në transfertat evropiane janë ndaj izraelitëve të Hapoel Beer Sheva (0-3) në Kupën Intertoto 2004 dhe ndaj sllovenëve të FC Koper (1-2) vitin e kaluar në Kupën UEFA.
Champions
Edhe pse fitorja mbetet fitore, kur ajo arrihet në kompeticion të tilla si Kupa e Kampioneve bëhet edhe më e rëndësishme. Pikërisht në këtë kompeticion ekipet shqiptare kanë 2 të tilla. Në sezonin 2002-2003 Kampionia e Shqipërisë, Dinamo arrinte të fitonte ndaj lituanezëve të Kaunas 2-3 në fushën e këtyre të fundit në turin e parë të Champions League. Dy vjet më vonë është Tirana e cila falë golave të Devi Mukës dhe Indrit Fortuzit fitoi në Bjellorusi ndaj FC Gomel. Rezultati i fundit pozitiv i listës sonë është fitorja e Teutës në Kupën Intertoto në vitin 2002 ndaj maltezëve të Valletta FC (1-2).
Fitoret në transfertë
1. 1986-1987, Kupa e Kupave
Dinamo Bukuresht-Tirana 1-2
2. 1987-1988, Kupa e Kupave
Sliema (MAL)-Vllaznia 0-4
3. 2002, Kupa Intertoto
Valletta FC (MAL)-Teuta 1-2
4. 2002-2003, Kupa e Kampioneve
FBK Kaunas (LIT)-Dinamo 2-3
5. 2004, Kupa Intertoto
Hapoel Sheva (IZR)-Vllaznia 0-3
6. 2004-2005, Kupa e Kampioneve
FC Gomel (BJE)-Tirana 0-2
7. 2008-2009 Kupa UEFA
FC Koper (SLLO)-Vllaznia 1-2
8. 2009-2010 Liga e Evropës
Sligo Rovers (IRL)-Vllaznia 1-2