Sukaj bëhet çështje bardheblu
Leonard Karaj
Xhevair Sukaj është kryefjala e ditës te Tirana. Ndonëse flitet ende nën zë, sulmuesi shkodran është ai për të cilin ka nevojë Kampionët në fuqi të Superligës, sidomos tani me dëmtimin e Migen Memellit.Gjithë pesha e sulmit në Champions do të jetë mbi Daniel Xhafaj, i cili realisht nuk pëlqehet nga trajneri i ri Lonçareviç. Burime pranë klubit bardheblu pohojnë se nuk ëhstë vetëm Tirana ajo që kërkon Sukajn por është edhe ky i fundit që mezi pret të firmosë për këtë skuadër. Madje mësohet se Xhevair Sukaj ka pasur dje një takim ditën me drejtuesit e klubit turk për të zgjidhur një herë e mirë pronësinë e kartonit të tij. Sukaj ka kërkuar që ai të lihet i lirë për të luajtur në një skuadër tjetër në Shqipëri. Nga ana tjetër drejtuesit turq kanë kërkuar që pas marrjes së kartonit Sukaj të mos firmosë për një skuadër turke të paktën për sezonin e ri.
Gençerbiligi
Sulmuesi ka probleme me klubin që zotëron kartonin e tij në Turqi. Te Gençerbiligi, sezonin e fundit, Sukaj jo vetëm që u aktivizua pak por nuk shihet as për sezonin në vazhdim si një titullar. Madje burime pranë futbollistit pohojnë se drejtuesit turq duan ta çojnë te Haxhetepe, skuadra simotër e Gençertbiligi e cila për sezonin në vazhdim do të militojë në Kategorinë e Dytë. Po te kjo skuadër luan edhe shkodrani tjetër, Gilman Lika, i cili ka të njëjtin problem sikundër edhe Sukaj.
Tirana
Xhevahir Sukaj shihet si një investim fitimprurës për skuadrën e Tiranës pas ai është vetëm 22 vjeç. Duke parë organikën e kësaj skuadre si dhe të ardhurat e sigurta, një Sukaj në formën më të mirë mund të kthehej në një futbollist kyç për të ardhmen. Madje pse jo edhe një lojtar nga i cili në një të ardhme të afërt mund të marrësh të ardhura nga shitja e kartonit të tij jashtë Shqipërisë, në një kampionat të huaj. Nëse Sukaj do të firmosë për Tiranën atëherë ai do të jetë me të gjitha efektet një lojtar i skuadrës bardheblu me një kontratë të rregullt që sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë më pak se dy vjet. Mësohet se klubi bardheblu nuk do të pranojë asesi që futbollisti të vijë në formë huazimi tek kjo skuadër, ashtu sikundër shpresojnë që të bëjnë drejtuesit e klubit turk të Gençerbiligi, të cilët zotërojnë 100 % kartonin e futbollistit.
Vllaznia
Ndonëse ka dalë nga shkolla shkodrane duket se Sukaj nuk ka më vend tek skuadra e qytetit të tij. Jo vetëm ai që nuk dëshiron të luajë për fanellën kuqeblu por as drejtuesit e Vllaznisë nuk dëshirojnë rikthimin e tij. Shkak janë bërë lojërat e fundit që sulmuesi bëri me këtë skuadër gjatë sezonit të kaluar ku Sukaj u akuzua nga presidenti Fushaj edhe për neglizhencë dhe mos impenjim. Gjatë javëve të fundit si dhe pas eliminimit të Vlalznisë nga Kupa e Shqipërisë u përfol edhe për një gjobë të majme që Fushaj donte ti vinte futbollistit por që nuk u vu asnjëherë në zbatim. Ecejaket e këtoj sezoni refketuan shumë edhe te Sukaj kuqezi. Deri para një viti futbollisti jo vetëm që ishte pjesë e kombëtares shqiptare por shihej si e ardhmja e sulmit kuqezi. Mjaftoi një sezon dështak në Turqi që dhe ish-trajneri Arei Haan dhe tekniku i ri, Josip Kuzhe të mos ta kenë në konsideratë. Në pak fjalë, një tjetër sezon si ky i fundit do ti mbyllte një herë e përgjithmonë talentit shkodran portën e kombëtares shqiptare. Në të tilla kushte vetëm Tirana mund ta rikthejë sërish kuqezi.
Merkato e Tiranës
Porta - Mbetet për tu parë se çfarë do të vendoset për kontartën e Blendi Nallbanit. Ndërsa është thuajse konfirmuar largimi nga skuadra për sezonit tjetër i maqedonasit, Pece Kuronovski, ndaj kërkohem me ngulm një tjetër portier.
Mbrojtja - Me ikjen e kroatit Pezo reparti divensiv ka një boshllëk të madh. Trajneri Lonçareviç ka marrë një tjetër bashkëpatriot, Gral i cili pritet të zëvendësojë Pezon por gjithsesi shqetëson edhe fakti se nga skuadra është larguar edhe shqiptaro-kroati, Lek Kçira, i cili u dëmtua në pjesën e dytë të kampionatit gjatë sezonit të kaluar.
Mesfusha - Ansi Agollin zor se do të mund ta zëvendësojë kush tjetër. Lonçareviç ka provuar gjatë seancave të para stërvitore të riun Jetmir Sefa në atë pozicion por edhe ky i fundit nuk dihet nëse do të qëndrojë pasi ka kërkuar një rritje rroge e cila edne nuk i është miratuar. Ndërsa është rikthyer te bardheblutë francezi Molehebi.
Sulmi - Dëmtimi i Migen Memellit ka shqetësuar jo pak drejtuesit e klubit bardheblu. Madje për Champions, Tirana do ti varë shpresat tek Daniel Xhafa i cili do të mbështetet nga kapiteni Muka. Ardhja e Sukajt do të mund të zgjidhte problemin e repartit ofensiv.