E Diel, 1 Nëntor 2026

Cana: “Do të fitojmë për ju tifozë”



Lorik Cana pohoi se ende i ka në kujtesë imazhet e ndeshjes kundër Maltës (i dëmtuar e ndoqi nga televizioni në shtëpinë e tij në Francë), takimi më i dobët i Shqipërisë në pesë përballjet eliminatore të Kampionatit Botëror 2010. I lumtur pas kualifikimit kundër Ajaksit në Kupën UEFA (Marseja e tij do të luajë në çerekfinale kundër ukrainasve të Shahktor Donetskut), dy fitoreve rresht në kampionat (Olimpiku i tij ndodhet në vendin e dytë me një pikë më pak se Lioni në kampionatin francez), Lorik rrezaton qetësinë e tij tipikë, duke krijuar edhe një atmosferë të bukur në qendrën grumbullimit të përfaqësueses kundër Hungarisë e Danimarkës. 25-vjeçari Lorik Cana është gjithmonë i “ftohtë” në deklarata, cilësi kjo e lojtarëve profesionistë. “Nuk diskutohet që të gjitha ndeshjet për ne janë shumë të rëndësishme, aq më tepër që kundër Hungarisë luajmë në fushën tonë e publiku do gjithnjë suksesin. Luajmë kundër një skuadre që edhe pse nuk ka emra të mëdhenj, luan një futboll të shpejtë dhe të organizuar. Në këtë sfidë duhet të dhurojmë patjetër gjëra pozitive. Do të punojmë shumë së bashku me trajnerin për të bërë më të mirën”, - tha Loriku, i cili mendon se me të drejtë shqiptarët mund të jenë më pak euforikë se para ndeshjes me Maltën. “Por, pa tifozerinë dhe mbështetjen e gjithë kombit nuk jemi asgjë. Fundja kemi një qëllim të përbashkët, jetojmë dhe luajmë për ta sa herë që veshim këtë fanellë”. Edhe Loriku flet për mungesën e shumëdiskutuar të Erjon Bogdanit. “Për mua është një lojtar i padiskutueshëm në organikën e përfaqësueses. Trajneri sigurisht ka bërë zgjedhjet e tij, që duhen respektuar. Me sa di unë, Bogdani, në këto dy ndeshjet e fundit ka luajtur. Nuk dua të ofendoj asnjë nga sulmuesit e tjerë të grumbulluar, por mendoj se Bogdani në të ardhmen do të jetë pjesë e rëndësishme e skuadrës shqiptare. Mund të jetë një lënie jashtë vetëm për momentin”.

24 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›