Kapet i arratisuri nga Komisariati i Rinasit, SHKB-ja nis hetimet
Tiranë - Ka zgjatur vetëm pak orë arratisja e 26-vjeçarit nga ambientet e Komisariatit të Rinasit. Pas një operacioni të mirorganizuar, forcat e policisë kanë prangosur dje, në orët e para të mëngjesit, Flamur Toskajn.
Ngjarja
Rreth orës 19:00 të së dielës, Flamur Toskaj u deportua nga policia e Bolonjës me avionin e linjës ajrore Al Italia pasi është dënuar me 1.5 vjet burg nga gjykatat shqiptare. Toskaj kishte mundur të arratisej pasi i kishte kërkuar punonjësit të policisë që të dilte pak jashtë për të kryer nevojat personale. Burime nga policia kanë bërë të ditur se dyshohet se arratisja ka qenë e planifikuar pasi 26-vjeçari ka mundur të largohej nga Rinasi i hipur në një fuoristradë, ku e prisnin dy persona. Një grup oficerësh të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm nisën hetimet për të verifikuar rrethanat e arratisjes. Policia tha se Flamur Toskaj u gjet i fshehur në një banesë në rrethinat e Tiranës dhe se ka nisur një procedim penal ndaj punonjësve të policisë që shoqëronin të dënuarin.
Precedentet
Një person i shoqëruar në polici u arratis më 12 mars nga Komisariati i Kavajës. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se i arratisuri ishte 30-vjeçari Edmond Paraniqi, që ishte shoqëruar në polici ku pritej t’i deklarohej vepra penale e kanosjes. Ai kishte kërkuar të shkonte në tualet. Pasi i është plotësuar dëshira, 30-vjeçari ka mundur të hidhet nga dritarja e korridorit që ndodhej në katin e dytë të Komisariatit të Kavajës dhe me shpejtësi të largohet prej aty. Efektivët që e shoqëronin, pas arratisë “nën hundën e tyre” të 30-vjeçarit, kanë sinjalizuar Komisariatin. Kapja e tij është bërë e mundur 24 orë më pas. Forcat policore kanë mundur ta kapin Edmond Paraniqin teksa fshihej në një banesë në rrethinat e Durrësit. Forca të shumta policore rrethuan zonën dhe ngritën postblloqe për të mundësuar kapjen e tij. Atje shkoi madje edhe një ekip i SHKB (Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm) nga Tirana, i cili sekuestroi dosjen hetimore dhe mori përsipër të kryente një investigim mbi dinamikën e ngjarjes që nga shoqërimi dje dhe deri në momentin e arratisjes. Ky ishte incidenti i radhës i arratisjes që ndodh në vend për këtë vit pas atij të 22 janarit kur Petrit Çakrri fitoi lirinë për një javë dhe nuk u kthye më në Burgun e Shën Kollit.
24 Mars 2009