Martesë surprizë për Brus Uillisin
Pas divorcit me Demi Mur, aktori Brus Uillis mësohet se është martuar me Ema Heming. Uillis i tha “po” pyetjes që e lidhi me aktoren dhe modelen bukuroshe në martesë. Gjithçka u bë e mundur falë një ceremonie të vogël në shtëpinë e aktorit të Hollivudit në Parrot Cay, një ishull privat i Turks & Caicos në Karaibe.
Mes të ftuarve ishte edhe ish-bashkëshortja e Brus Uillisit, Demi Mur, e cila ishte shoqëruar nga bashkëshorti i saj më i ri në moshë, Ashton Kutçer. Natyrisht, të pranishëm në dasmë ishin edhe fëmijët e lindur nga martesa mes interpretueses së “Striptease” dhe aktorit Uillis: Rumer, 20 vjeç, Skout, 17 dhe Tallullah Bell, 15. Ceremonitë përfunduan me ditëlindjen e Brusit, i cili mbushi 54 vjeç, ndërsa nusja e re vetëm 32. Zëdhënësi i aktorit bëri të ditur për revistën “People” se çifti, sapo të kthehet nga Kalifornia, do të bëjë martesën në kishë.
Ledi Gaga zgjedh muzikën para dashurisë
Ylli i muzikës danc, Ledi Gaga, ka zbuluar se i kishte kthyer shpinën dashurisë pasi partneri i saj dëshironte që ajo të hiqte dorë nga karriera dhe të bëhej shtëpiake. “Vetëm një herë kam qenë e dashuruar. Ai nuk dëshironte që unë të bëjë këtë punë. Ai dëshironte që unë të qëndroja në shtëpi, prandaj u detyrova që t’i jepja fund lidhjes sonë. Kjo më theu zemrën, por po ashtu më bëri të kuptoja se muzika është dashuria ime më e madhe”, - ka thënë Ledi Gaga. “Muzika ime, kurrë nuk do të ndodhë që një mëngjes të zgjohet dhe të më thotë se nuk më dashuron më. Këtë fakt nuk mund ta refuzoj, pasi më bën të ndihem mirë më veten”, - ka shtuar Gaga, e cila kohët e fundit ka fituar sukses të jashtëzakonshëm në muzikë.
24 Mars 2009