Cana: Marseille do reagojë

Kapiteni i skuadrës së Marseille dhe idhulli i tifozëve në "Velodrome", shqiptari Lorik Cana ka folur edhe një herë për situatën në të cilën ndodhet skuadra e tij në kampionatin francez ku renditet në një pozitë të pavolitshme, ndërkohë që përballjet e vështira për Marseille do të vijnë në javët në vazhdim.
"Nuk shqetësohem shumë për kalendarin por ajo që është më shqetësuese është pozita jonë aktuale në renditje e që është shumë e vështirë. Për ndeshjet e radhës nuk shqetësohem pasi skuadra e ka të qartë se nuk gjendet në pozitën që i takon. Duhet të ngrisim nivelin e lojës sonë. Mezi pres të shoh që ekipi do të dëshmojë se meriton më shumë", ka thënë Cana për sitin francez "sports.fr".
Olympique Marseille renditet në pozitën e 18-të të kampionatit francez me vetëm 7 pikë pas 10 javëve dhe në ndeshjen e radhës në Ligue 1 do të luajë kundër RC Lens.
Krejt e ndryshme është situata për skuadrën e shqiptarit Cana në Ligën e Kampionëve ku kryesojnë Grupin A pas fitoreve ndaj Beshiktash (në "Velodrome") dhe nënkampionëve të Evropës, Liverpool (në "Anfield").