Cana: Mbrojtja solide na ndihmon të jemi më të fortë
Mbrojtja është kthyer padyshim në pikën më të fortë të Kombëtares shqiptare nën drejtimin e trajnerit Kuzhe. Reparti difensiv i udhëhequr nga kapiteni Lorik Cana ka pësuar vetëm 6 gola në harkun e një viti, periudhë në të cilën janë luajtur 5 ndeshje miqësore dhe 2 eliminatore. Pas fitores 6-1 në miqësoren me Qipron më 12 gusht në Tiranë dhe barazimit 1-1 me Danimarkën në eliminatoret e Botërorit 2010, rrjeta kuqezi u tund për herë të fundit në ndeshjen e 14 tetorit në Solona, ku Suedia fitoi 4-1 në kualifikuese. Prej asaj periudhe, Shqipëria ka regjistruar 1 barazim (0-0 në fushën e Estonisë) dhe tri fitore 1-0 (me Irlandën e Veriut, Malin e Zi dhe Andorrën). Dallku, Curri dhe Vangjeli së bashku me Canën kanë bërë që reparti difensiv të japë garanci, ndërsa lojtari i Gallatasarait mendon se një mbrojtje solide e ndihmon përfaqësuesen të jetë më e fortë. “Kemi bërë hapa përpara. Sigurisht që kur luan me të njëjtin formacion, kur nuk i ndryshon shumë lojtarët në një repart dhe kur ekipi punon për shumë kohë me një trajner i cili ka një sistem të tijin në mbrojtje, kjo është pozitive. Nuk dua të them se nuk do të pësojmë gola në të ardhmen, por tashmë i kemi ndërtuar bazat në repartin difensiv dhe sigurisht që mbrojtja do të na ndihmojë të jemi më të mirë dhe më të fortë”, deklaroi Lorik Cana, i cili do të mbajë shiritin e kapitenit në miqësoren kundër Uzbekistanit. “Duhet të jemi një ekipi i vështirë për t’u mundur nga kundërshtarët dhe të shfrytëzojmë kualitetet që kemi për të fituar ndeshjet. Ky është një hap përpara që kemi bërë dhe duhet të vazhdojmë në këtë drejtim, mbi të gjitha në ndeshjet eliminatore. Përballjet zyrtare janë më të rëndësishmet. Në Rumani do të luajmë një sfidë me peshë, për të parë a jemi në nivelin që pretendojmë apo jo. Por, për momentin jemi të përqendruar për miqësoren me Uzbekistanin, në mënyrë që të përgatitemi sa më mirë për Euro 2012. Shpresojmë që të jemi të koncentruar dhe të organizuar në “Niko Dovana”. Gjithashtu presim të kemi shumë tifozë për të na mbështetur, pasi aktualisht në Durrës ka shumë pushues shqiptarë dhe kosovarë. Fansat janë shumë të rëndësishëm dhe prezenca e tyre në stadium na transmeton entuziazëm, dhe na bën të kuptojmë se kemi njerëz mbrapa që janë të interesuar për skuadrën”.
Më tej, 27-vjeçari i bën thirrje skuadrës të japë maksimumin në testin e fundit, pasi në këtë mënyrë Shqipëria do të paraqitet më e përgatitur në eliminatore. “Patjetër që çdo ekip kombëtar, sidomos për ekipin tonë, ka vështirësi. Megjithatë, detyra jonë është të përpiqemi të arrijmë rezultate sa më të mira me kushtet dhe mundësitë që kemi. Të përpiqemi të japim maksimumin. Na ndan vetëm pak kohë nga fillimi i një kompeticioni shumë të rëndësishëm dhe detyra jonë është vetëm të përgatitemi sa më shumë dhe të japim maksimumin që të jemi gati për ndeshjen e parë”, përfundoi Cana.
#