“Dua lojtarë që të ndihmojnë Kombëtaren”
Zgjedhjet e trajnerit Josip Kuzhe kanë lënë të pakënaqur disa ish-lojtarë kuqezinj. Besart Berisha, Elvin Beqiri apo Admir Teli kanë shpresuar deri në fund në mbërritjen e një ftese për miqësoren e sotme me Uzbekistanin, duke menduar se do të ishin pjesë e Kombëtares për eliminatoret e Euro 2012. Në konferencën e djeshme, trajneri Kuzhe deklaroi se të gjithë këta lojtarë kanë mundësi të bëhen sërish pjesë e skuadrës, megjithatë për momentin ai po kërkon vetëm lojtarë që mund ta ndihmojë Shqipërinë. “Mund të them se vendimet kanë qenë profesionale. Mua nuk më interesojnë shumë ato çfarë thuhen apo fliten, por lojtarët që mund të ndihmojnë skuadrën”, deklaroi qartë trajneri. Më pas Kuzhe foli për emra konkretë, duke filluar nga Beqiri që ka kërkuar shpjegime, Teli por edhe Berisha. “është e vërtetë se nuk kam folur me Beqirin prej periudhës kur ai nuk ka qenë më i thirrur në Kombëtare. Ndoshta ishte obligimi im që ta sqaroja, megjithatë kjo nuk do të thotë se nuk më pëlqente si lojtar. E aktivizova në ndeshjen e parë, në të dytën mbajti shiritin e kapitenit, luajti edhe në ndeshjen e tretë. Më pas, duke u bazuar te eksperienca ime, vendosa të provoja diçka ndryshe. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Telin apo Berishën. Sipas informacioneve të mia, Teli po luan shumë mirë në Azerbajxhan dhe kjo më kënaq. Mund të them se ndoshta mund të kthehet në skuadër. Edhe Berisha po luan mirë e nëse vazhdon kështu mund të japë kontributin e tij për përfaqësuesen”, përfundoi kroati.
#