Josip Kuzhe: “Optimist për Shqipërinë time”
Josip Kuzhe shfaqet optimist në prag të ndeshjes së fundit miqësore të Shqipërisë, përballë Uzbekistanit, testit final përpara startit të eliminatoreve. Tekniku kuqezi përqendrohet më së shumti te sfidat e Euro 2012, ndërsa thekson se Kombëtarja do të kërkojë të grumbullojë sa më shumë pikë në katër sfidat e para të Grupit D.
Trajner, keni qenë i pakënaqur për situatën e shumë lojtarëve gjatë kësaj vere…
Fillimisht nuk e kam thënë kurrë publikisht se jam i pakënaqur. Ndoshta brenda meje e kam menduar diçka të tillë, duke analizuar situatën e lojtarëve të Kombëtares, pasi normalisht jam i shqetësuar për atë çfarë ndodh në skuadër. Natyrisht që më është dashur të analizoj situatën individuale të secilit lojtar që kemi në dispozicion dhe si mund t’i shërbejnë ata skuadrës, pasi kjo do të jetë e rëndësishme edhe për të ardhmen. Por jam optimist si për ndeshjen miqësore me Uzbekistanin, ashtu edhe për dy ndeshjet e para eliminatore me Rumaninë dhe Luksemburgun.
Shumë kuqezinj janë pa skuadër, sa do të ndikojë kjo në prag të eliminatoreve?
Edhe një herë, detyra ime është të analizoj situatën e secilit lojtar. Megjithatë mendoj se mund të krijojmë një skuadër konkurruese, të mirorganizuar dhe që do të kemi një atmosferë të mirë për sfidat me Rumaninë dhe Luksemburgun. Nuk dua të përdor alibi për veten apo për lojtarët, duke thënë se skuadra nuk është në gjendje të mirë. Shqipëria ka një skuadër të mirë dhe duhet të jetë në gjendje optimale. Edhe nëse lojtarët nuk kanë luajtur, jam i bindur se me entuziazëm dhe fanatizëm nga ekipi dhe tifozët, ne do ta kalojmë këtë problem dhe do të jemi gati për eliminatoret.
Kur jeni emëruar fillimisht në krye të Kombëtares shqiptare përcaktuat disa objektiva. Sa janë realizuar ato?
Jam një person me ambicie. Që prej momentit të parë që erdha në Shqipëri thashë se më pëlqen të fitoj dhe kam ardhur këtu për të fituar. Natyrisht që dua të jem realist dhe në këto momente mund të them se do të futemi në katër ndeshjet e para eliminatore për të fituar sa më shumë pikë. Ato takime nuk do të shërbejnë si një test, pasi ne e kemi të qartë forcën e skuadrës. Vetëm pasi të kemi parë se çfarë do të kemi arritur në katër sfidat e para, do të vlerësojmë edhe objektivat tanë hap pas hapi, pse jo të shpresojmë edhe kualifikimin. Me këtë dua të them se do të shkojmë për rezultat në ndeshjen e parë eliminatore në Rumani, ndërsa presim të fitojmë në takimin e dytë me Luksemburgun në shtëpi. Pas këtyre dy ndeshjeve, sido që të jetë situata do të paraqitemi me energji pozitive kundër Bosnjë-Hercegovinës dhe Bjellorusisë. Kërkojmë të fitojmë çdo ndeshje në fushën tonë, por edhe në Bjellorusi do të shkojmë për pikë, pasi ata janë një tjetër skuadër kundër së cilës mund të luajmë mirë dhe të marrin rezultat. Nuk do të them se do të grumbullojmë 6, 12 apo 15 pikë: do të futemi në fushë për të fituar çdo ndeshje, duke u përgatitur me kujdes për sfidat e veçanta dhe vetëm në fund do të shohim se cila është gjendja jonë.
Pas mungesës së Skelës, kundër Uzbekistanit jeni të detyruar të improvizoni. A mendoni se skuadra aktuale ju siguron alternativa për të zëvendësuar ata lojtarë që do të mungojnë në eliminatore?
Duhet ta pranojmë: Skela na mungon. Por, duhet të gjejmë zgjidhje të ndryshme për të zëvendësuar kualitetin dhe stilin e lojës së një lojtari si Ervini. Po punojmë të gjejmë zëvendësuesin mes lojtarëve që kemi në dispozicion, por edhe futbollistë të rinj. Këtë e them pasi seleksionimi është një proces, i cili nuk përfundon kurrë. Natyrisht që do të më pëlqente ta mbyllja seleksionimin dhe të kisha një skuadër të kompletuar për eliminatoret, megjithatë po vjen një lojtar i mirë i ri, siç është Basha. Do të mundohemi që ta angazhojmë edhe atë me Kombëtaren dhe kjo tregon se procesi i seleksionimit do të vazhdojë gjatë gjithë kohës. Për sa i takon grupit aktual mendoj se edhe ata që janë zëvendësues kanë kualitet. Megjithatë, nuk mund ta mohojmë se kur në fushë janë Skela apo Cana flasim për diçka krejt ndryshe. Duhet të jem realist, por nuk bëj drama kur një lojtar i rëndësishëm nuk luan dhe detyra ime është të gjej zgjidhje në mënyrë që mungesa e tij të mos ndihet.
A mendoni se lojtarët e rinj, si Bakaj, Lila, Hyka e Vila nuk kanë bërë hapa përpara gjatë këtyre 15 muajve që ju punoni si trajneri i Shqipërisë?
Për mendimin tim ata kanë bërë disa hapa përpara. Gjithsesi tani po vijnë eliminatoret dhe nuk më intereson nëse bëhet fjalë për futbollistë të vjetër apo të rinj, unë dua lojtarë që dinë t’i fitojnë ndeshjet. Muzaka në formacion? Ai është në formë të shkëlqyer dhe ka bërë paraqitje shumë të mira me Dinamon dhe është një alternativë e mirë për skuadrën. Shpresojmë që nesër (sot) do të bëjë gjëra shumë të mira edhe me Kombëtaren.
Pavarësisht rezultateve pozitive në ndeshjet e fundit, sa mendoni se Shqipëria juaj është gati për Euro 2012 dhe çfarë note do t’i jepnit skuadrës?
Në po e përgatisim skuadrën taktikisht, fizikisht dhe psikologjikisht. Megjithatë nuk më pëlqen të vendos nota, por e vlerësoj si pozitiv nivelin e Kombëtares. Objektivi ynë është që të grumbullojmë sa më shumë pikë në katër ndeshjet e para dhe do të jemi një kundërshtar mjaft i vështirë për të gjitha skuadrat e grupit. Ndoshta Rumania, Bosnja apo Bjellorusia mendojnë se do të fitojnë lehtësisht me Shqipërinë, por unë mund të them se kjo nuk ka për të ndodhur.
#