E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe dhe FSHF, “Ok"Harbuzit, por pengesat vijnë nga FIFA

Fantazisti Federata ka nisur punën për procesin e ndërlikuar të pajisjes së 24-vjeçarit me pasaportën shqiptare

Trajneri Josip Kuzhe dhe Federata Shqiptare e Futbollit kanë dhënë pëlqimin për afrimin e Labinot Harbuzit në Kombëtaren shqiptare. Mesfushori ofensiv ka shprehur dëshirën për t’u përfaqësuar me fanellën kuqezi, ndërsa mesazhi është dërguar nëpërmjet shokut të skuadrës te Gençlerbirligi, Debatik Curri. Kuzhe e cilëson 24-vjeçarin si pasardhësin ideal të Ervin Skelës në rolin e fantazistit, megjithatë më parë duhet të kalohen pengesat për pajisjen e lojtarit kosovar me pasaportën shqiptare. Curri ka konfirmuar se Harbuzi është shprehur i gatshëm për të luajtur me Shqipërinë, ndërsa theksoi se përpara grumbullimit për miqësoren me Uzbekistanin e ka pyetur shokun e tij nëse synon vërtet të veshë fanellën kuqezi. Pas përgjigjes pozitive të ish-lojtarit të U-21 të Suedisë, mbrojtësi i Kombëtares ka biseduar me trajnerin kroat. “Prej afro një viti kam biseduar me Harbuzin për mundësinë e angazhimit të tij me Shqipërinë, deklaroi Curri për ‘Express’. Së fundmi e pyeta për të marrë një përgjigje përfundimtare, për të lajmëruar edhe drejtuesit e Kombëtares, ndërsa ai mu përgjigj se do të luante me dëshirë me fanellën kuqezi. I njoftova drejtuesit e skuadrës dhe zyrtarët e Federatës Shqiptare për këtë vendim të tijin. Po ashtu e kam njoftuar edhe trajnerin Josip Kuzhe. Gjatë një bisede, tekniku më pyeti rreth cilësive të Harbuzit dhe e njoha në përgjithësi me aftësitë e Labinotit. Në anën tjetër, Kuzhe më tha se është i informuar se Harbuzi është një futbollist shumë cilësor, dhe se do të ishte zëvendësuesi ideal i Ervin Skelës”.

Diskutimet rreth Harbuzit në ambientin kuqezi janë konfirmuar edhe nga menaxheri i Kombëtares, Denis Bastari. Ky i fundit ka bërë të ditur se edhe FSHF dëshiron që kosovari t’i bashkohet skuadrës. Por, Bastari paralajmëroi se procesi i afrimit të ish-lojtarit të Pejnordit dhe Malmos në përfaqësuesen shqiptare është i ndërlikuar: “Jemi të interesuar për Harbuzin prej shumë kohësh, pasi ai është një lojtar jashtëzakonisht i mirë. Stafi teknik i Kombëtares nuk ka dyshime në cilësitë e këtij mesfushori dhe do ta mirëpriste në ekip. Ne tashmë kemi angazhuar avokatin e federatës për të punuar rreth kësaj çështjeje. Por, kemi të bëjmë me një rast të ndërlikuar, sepse Harbuzi ka luajtur me Kombëtaren U-21 të Suedisë pa zotëruar pasaportën shqiptare. Në raste të tilla, sipas rregullores së FIFA-s, ekzistojnë disa pengesa ligjore që futbollisti të ndërrojë përfaqësuese. Megjithatë, ne do të bëjmë të pamundurën që ta fitojmë Harbuzin sa më të shpejt që është e mundur”. Dëshira e Harbuzit për të luajtur me Shqipërinë mund të duket edhe paksa befasuese. Vetëm pak kohë më parë 24-vjeçari kishte thënë për mediat nordike se preferonte të bëhej pjesë e Kombëtares së Suedisë. Sipas tij, nëse kjo nuk do të realizohej, atëherë alternativa e tij e dytë do të ishte Kombëtarja turke, pasi Kosova ende nuk është pranuar si anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›