Cana: Në qershor mund të largohem nga Lacio
Kapiteni i Kombëtares shqiptare: Në fund të sezonit do të vlerësoj çdo ofertë.
“Nuk largohem që në janar, s’i lë kurrë gjërat përgjysmë”
Lorik Cana po mendon largimin nga klubi i Lacios. Nuk bëhet fjalë për ta ndërprerë kontratën që në muajin janar, por ka shumë gjasë që kjo të ndodhë verën e ardhshme. Këtë e ka pohuar vetë kapiteni i Shqipërisë për mediat italiane pas fitores 2-1 të Lacios kundër Parmës, ku ai u aktivizua për 45 minuta si qendërmbrojtës. “Unë nuk jam nga ata që tërhiqem mbrapa dhe nuk dorëzohem lehtë, ndaj të jeni të sigurt se këtë sezon do ta mbyll me skuadrën e Lacios”, – ka thënë “Luftëtari” për “Sky Channel” pas ndeshjes së të dielës. “Do të qëndroj dhe nuk do ta kem mendjen te merkatoja në janar, pasi dua të provoj shanset për një vend titullari. Do ta mbyll sezonin këtu. Në verë do të shohim nëse do të ketë ndonjë ofertë interesante dhe do të përpiqem ta vlerësoj seriozisht, por ama deri në fund të sezonit do të qëndroj këtu”, është shprehur Lorik Cana. Ai është aktivizuar vetëm 233 minuta në 15 ndeshje kampionat dhe kjo mezi kapërdihet nga një futbollist si Cana, që kërkon gjithnjë të jetë në fushë dhe protagonist. Një nga arsyet se përse ai u largua nga Gallatasaraji, ishte edhe fakti se muajt e fundit po luante gjithnjë e më pak. Mesfushori nuk u ndje sezonin e shkuar, ku për shkak të vështirësive me përshtatjen në futbollin italian, luajti pak. E njëjta situatë po përsëritet edhe tani, ndaj kapiteni i Shqipërisë duket se po “bluan” në mendje edhe opsione të tjera. Është 28 vjeç dhe nuk ka ndërmend të presë që të luajë kur dëmtohen Biava, apo ndonjë tjetër te Lacio, që të mund të aktivizohet. Pak ditë më parë, drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, tha: “Është e vërtetë se ai nuk ka luajtur aq sa pritej, por kjo ka ndodhur sepse ai ka pasur vështirësi në përshtatjen me futbollin italian. Vështirësi, të cilat gradualisht po i kalon. Unë mund t’ju them se ai është pjesë e projektit dhe se ndiej një përgjegjësi edhe për shqiptarët e tjerë që luajnë me të rinjtë e Lacios, si Admir Bilali dhe Thoma Strakosha. Sakaq, është folur vazhdimisht për një interesim të Marsejës në adresë të Lorik Canës. Ky i fundit, nuk e ka mohuar kurrë se ka një dashuri të pakufishme për skuadrën tek e cila luajti për katër vite dhe mbajti shiritin e kapitenit. Megjithatë, ai ka qenë në mënyrë konstante edhe në orbitën e disa klubeve gjermane, mes të cilave edhe Volfsburgu. Cana nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën që të mund të luajë një ditë në Bundesligën 1 të Gjermanisë, duke qenë se deri tani ka provuar aventura të ndryshme në tri kampionatet elitare të futbollit evropian, si Franca, Anglia dhe Italia.
Lorik Cana po mendon largimin nga klubi i Lacios. Nuk bëhet fjalë për ta ndërprerë kontratën që në muajin janar, por ka shumë gjasë që kjo të ndodhë verën e ardhshme.