Kovaçiç-Lika, synime të kundërta

Në dy takimet sezonale janë ndarë në dy barazime ideale (0-0, 0-0), por Flamurtari-Partizani, ende pa u luajtur, ka prodhuar polemika të mëdha. Presidenti i të "kuqve", Albert Xhani, i kërkoi Sektorit të Garave të Federatës Shqiptare të Futbollit, zëvendësimin e gjyqtarit Sazan Velcani. Akuza është: "Ai është një tifoz i Dinamos".
Fakti, të cilit i referohet Xhani, është akordimi i një penalltie në minutën e 94-t në takimin Dinamo-Teuta (2-1), pas së cilës "blutë" siguran edhe tripikëshin që krijoi edhe diferencën prej 2 pikë midis dy kruesueseve.
Gjithsesi, në ndeshjen e fundit që Velcani ka gjykuar një ndeshje të Partizanit, formacioni i Likës fitoi me Vllazninë (1-0) me golin e Elis Bakajt.
Polemikat ndaj gjyqtarëve nga kampi i kuq janë të përsëritura, kjo dhe për faktin, se Partizani është ndëshkuar disa herë nga vendimet e tyre.
Skuadra udhëtoi për në Vlorë, por Lika nuk do të ketë në dispozicion dy prej lojtarëve titullarë, mesfushorët Blendi Shkëmbi (i dëmtuar) dhe Bledar Devolli (të pezulluar). Për Flamurtarin i pezulluar është kroati Alvizh.
Partizani javën e kaluar nuk arriti ta shfrytëzojë hapësirën që iu krijua, duke u ndalur në nja barazim të zbehtë me Kastriotin (0-0), ndërsa Flamurtari humbi në Shkodër me Vllazninë (2-0).
Kundër Partizanit, trajneri kroat i Flamurtarit, Sllavko Kovacic, synon edhe autokritikën e skuadrës së tij, pas humbjes së sfidës me malaziasin e shkodranëve, Dervish Haxhiosmanovic.
Dy skuadrat i ndan pas 25 javëve një diferencë prej 17 pikësh, por nëse Partizani lufton për titullin e 16-të kampion (i mungon prej 15 vjetësh), Flamurtari, 1 herë kampion i Shqipërisë, ndodhet në zonën e "ngrohtë" të Superligës.
Në dy takimet e para gjatë sezonit aktual dy skuadrat "ndanë" miqësisht pikët, me dy barazime pa gola, si në Vlorë ashtu dhe në Tiranë, ndërkohë që të "kuqve" u duhet patjetër fitorja për të mos u shkëputur nga Dinamo, kur kanë mbetur edhe 7 javë nga përfundimi i Kampionatit të 69-të Kombëtar.
Dy skuadrat janë përballur 113 herë midis tyre. Vetëm 16 herë ka fituar Flamurtari, kundrejt 65 fitoreve të Partizanit (32 barazime).