Cana: “Nuk ia vlen më”
Lorik Cana nuk dëshiron më të flasë për çështjen “Hilton”. Më 15 tetor të vitit 2006, në javën e nëntë të kampionatit francez, Olimpiku i Marsejës mund ta kishte fituar ndeshjen kundër Lensit, në rast se gjyqtari Fotrel, nuk do të kishte dhënë një penallti në favor të Lensit, pas simulimit të Vitorino Hiltonit, dhjetë minuta përpara përfundimit të takimit. Veprimi i Hiltonit bëri bujë të madhe në Francë. Tashmë Cana thotë: “Është folur shumë për këtë, nuk ia vlen më”.
Lorik Cana, si po kalojnë përgatitjet?
E kemi nisur shumë herët për t’u përgatitur për kampionatin, e sidomos për të bërë një paraqitje të mirë për ndeshjen e parë të Ligës së Kampioneve. Nuk na lejohet të gabojmë. Dhe për më të tepër në dy ndeshjet e para (eliminatore).
Cili është programi përpara fillimit të sezonit?
Kemi bërë një punë shumë të madh për të krijuar një gjendje të mirë fizike. Tashmë na duhet të ndryshojmë fazën e punës. Tani është duke afruar kampionati dhe do të punojmë më shumë me anën taktike, lëvizshmërinë dhe topin. Sa më shumë kohë të kalojë, aq më mirë do të jemi.
Gjuri juaj ju shkakton gjithmonë dhimbje?
Po shkon gjithmonë e më mirë. Kam pasur pak lodhje fizike, dhe pak ditë pushim më kanë bërë mirë. Të mërkurën kundër Monakos nuk luaja për të shmangur ndonjë përkeqësim.
Kampionati është në prag...
Është shumë e rëndësishëm ta fillojmë mirë kampionatin. Një fillim i mirë nuk është gjithçka, por kushtëzon në një farë mase vazhdimin. Dhe në Marsejë gjërat ndryshojnë shumë shpejt në një kuptim apo tjetrin. Një fillim i mirë na jep mundësinë për të bërë një sezon të bukur. E dimë se ndeshjet e Ligës së Kampioneve janë të vështira, por nga ana tjetër i gëzon lojtarët dhe klubin. Jemi duke i përgatitur shumë mirë.
Si po përshtaten lojtarët e rinj?
Jemi duke i njohur e komunikuar gjatë lojës. Të vjetrit po i ndihmojnë të rinjtë. Jemi përpjekur t’u krijojmë kushtet më të mira, që ata të japin maksimumin.
Trajneri i Maincit: “Hyka është teknik”
Jahmir Hyka bëri një paraqitje të mirë në miqësoren kundër spanjollëve të Real Santanderit, duke u shndërruar në një lojtar të dashur për tifozët dhe stafin teknik të klubit. “Ai është shumë i shpejtë dhe teknikisht është shumë i mirë. Ne duhet ta ndërtojmë atë dalëngadalë, kështu që ai do të ketë vendin e tij në formacionin fillestar. Ai po jep gjithmonë e më të mirën. Mainc 05 duhet të krijojë më shumë miqësi për të”, - tha trajneri Andersen për “Allgemeine Zeitung”.
Vata: “Rumunët të aftë të luajnë në Britani”.
Gazeta më e madhe sportive në Rumani, “Pro Sport”, ka pasur në qendër të vëmendjes së saj menaxherin shqiptar Rudi Vatën. Agjenti i FIFA-s kishte pohuar disa ditë më parë për mediat skoceze (gazetën “Daily Mail”), se lojtarët rumunë janë të aftë të luajnë në Premier Ligën angleze dhe atë skoceze.
Vata po menaxhon kapitenin e Lokomotivës së Moskës, Dinijar Bilyaletdinov. Mesfushori 23-vjeçari ishte një nga lojtarët e përfaqësueses ruse, duke luajtur 5 ndeshje. “Bilyaletdinov konsiderohet një nga yjet e rinj të futbollit rus dhe është i jashtëzakonshëm si mesfushor. Ka qenë po aq i kërkuar në treg sa dhe Andrei Arshavin e Roman Pavliçenko. Është fat që m’u besuan mua të drejtat e tij në Britaninë e Madhe, pasi Dinijar kërkohet nga Arsenali, Aston Vila e Bllekbërni”, - tha Rudi Vata “Daily Mail”, i cili më parë ka realizuar edhe transfertën e skocezit Geri O’Konor te Lokomotiva e Moskës e ka njohje personale me drejtuesit e klubit moskovit. Rudi Vata është shndërruar në një pikë referimi për merkaton e futbollit skocez. Gazeta më e rëndësishme në Skoci, “Daily Mail” i ka kushtuar ditë më parë një vëmendje të posaçme tregut të talenteve të rinj nga Ballkani, duke pasur si pikë referimi opinionin e dhënë nga ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare. Me rusët tashmë në klube të pasura, vëmendja skoceze është e kthyer nga lojtarët rumunë e kroatë. “Nëse Sëlltiku me të vërtetë dëshiron të hyjë në Europën Lindore të mbushur me talente”, - thotë ish-mbrojtësi i Parkhead, Rudi Vata për “Daily Mail”, - “ka vetëm një zgjidhje”. Menaxheri i njohur shqiptar thotë se në vendet lindore ndodhen shumë të rinj me talent të mirëfilltë dhe që janë prodhuar jashtë syve të rajoneve ku kërkojnë klubet e mëdha. “Sëlltiku kërkonte Ognjen Vukojeviçin nga Dinamo, por ai shkoi te Kievi për 6 milionë sterlina. Aktualisht, Dinamo ka arritur të fitojë 58 milionë sterlina vetëm duke shitur lojtarët. Kjo sepse ata i kanë marrë lojtarët më të mirë të rinj shumë shpejt dhe ata kanë bërë detyrat e shtëpisë”.
28 Korrik 2008