Sonte kujtimi... (për Bedin)
Arshi PIPA
Sonte kujtimi n’arratit e tija
Tue u vjedhun prej t’errtave llogore
Ndeshi n’andërr atè qi e thirrun prore
Duket veç rrallë për trishtimet e mija.
Ishte si qe te stina e parë rinore
Kur ja stoliste ballin pafajnia.
E m’thonte: “Çka se vdiqa shpejt? Lumnija
Nuk qe për mue! E lashë nji permendore!
Jo krejt u-bora ku m’u – sos mënxyra
Si frymë un’ endem (a s’e ndien?) rreth teje.
Të prij aty ku t’urdhënon detyra,
të mproj nga çdo rrezik përmes beteje.”
I qeshën syt, i ndriti hir fëtyra...
O motër, varri yt asht mbrenda meje!
Nji rreze drite
N’odën e zymtë ku mbretnon qetsija, nji lëvizje e lehtë, e shpejtë, qi më tërhekë vëmendjen... Vështroj: asht nji rreze drite!
Sa e bukur duket rrezja e artë n’errësinën e zymtë! Kështu edhe në zemrën t’eme, kur tallazet e egra janë qetsuem, nji dridhje e lehtë, e shpejtë, më ban me u shkundë... Unë e ndiej t’ambël ledhatare... E pyes veten: Mos asht trokitja e drojtun e së parës dashtuni?
N’odën e zymtë drita vezullon e shkon tue u bamë ma e fortë. E qe, oda merr nji tjetër pamje! Hijeshi e hare mbushin deri skutat ma të futuna, aty ku merimanga ka endun pëlhurën e vet. E në rreze të pastër të dritës hyjnore çdo gja ndritë, e deri fijet e merimangës duken fije ari të qindisuna.
O fëmini!
Shkodër, qyteti i em ku leva dhe u rrita, çka më dhae qi më premtove? Te ti njofta shgënjimin! Te ti nji ditë i thashë lamtumirë fëminisë s’eme të pakuptim!
Nji ditë kam ndiem nji të plasun në zemër. Ishte e vogël në fillim, por ka ardhë gjithnji tue u shtuem... Derisa shpërtheu... U hap pluhuni rreth e qark... nji mjegull?
E fëminija mbaroi.
27 Tetuer 1943
Dje erdhëm familjarisht në Tiranë. Asht e para herë për sa mbajë mend unë, qi shpërngulemi me plaçkë prej nji qyteti. Por çudi! As përshtypjen ma të vogël nuk kam ndiem në kohën e nisjes. Unë qi jam gadi me derdhun lotë në rastin ma të parë nuk jam përmalluem në mes të lotvet e të ngashrimevet të të gjithvet. Edhe unë habiteshem me vetëveten. Flitshem, ma shumë se të gjithë, fjalë lamtumire të përmallshme... E fjalët e mija bajshin të tjerët me qamë...
N’ora tetë u nisëm. Udhëtimi qe i mërzitshëm, edhe pse ishim shumë ngusht. Nji zotni, për të cilin më pat folë vllau disa ditë ma parë, ngulmoi qi njena nesh të pranonte vendin e tij, tue ndej aj vetë në radhën e dytë, në zgrip të kolltukut.
Rrugës nuk vuna oroe asgja. Male me gurë, ujna, pemë e kasolle kalojshin para syve të mij pa më shkundun nga mendimet. Te Kodrat e Kakarriqit makina u ndal: nji grumbull njerzish kishin xanë mesin e rrugës. Shifej nji kamion me dy rrotat e parme në hendek. Kishte pasë nji të vdekun e dy të plagosun randë.
Tue vrejtun vendin gjeta, jo pa kureshtje, se po njaty disa kohë ma parë, kur po udhtojshem për Tiranë me do shoqe, na ishte prishun makina. Ndodhej atëherë me ne edhe nji zotni i huej, shumë i njerzishëm. Na pat xanë nata në rrugë tue pritun qi të ndreqej makina. Unë kishem pasë etje, dhe aj kishte shpejtuem kah nji kasolle nja dyqind metra larg. Kur ishte kthyem tue më prumë ujin, kishem vrejtun se e kishte pantallonin të shpërvjelun dhe kambën e lidhun: e kishte pasë vramë te nji gurë me thep. Kur patëm sosë në Tiranë kishte dashtun me na shoqnuem deri ndër banesat tona. E kishim falenderuem pa e pranuem. Mbas do ditësh kishem marrë veshë se kishte pasë vdekun, shkaku i kambës.
Shpejt makina u vu në lëvizje, por unë kisha tretun ndër mendime. Nja dy herë – pa dobi – motra më luejti krahun e më tha me veshtuem çka po flitej mbrapa nesh.
Mbrrimë n’ora nji mbas dreke. Pak ma parë ishte dhanë alarm, e na, porsa zbritëm, u ngutëm me hymë te nji ndërtesë e madhe ku ishin grumbulluem edhe shumë të tjerë. Në nji kand bijshin në sy dy të rinj qi shfaqshin haptazi dashuninë e tyne. Vajza ishte nja njizet vjeçe: flokëverdhë, me hundë të rjepun, me kambë të shndoshta, e me nji buzëqeshje idiote te ftyra e kuqe e rrumbullaktë. Djali ishte ma i ri, i veshun mirë e i lëpimë, tanë përdredhje e llastime. I shterngonte krahun vajzës, u binte lehtë faqeve të saja, ndërsa ajo i kapte hundën, i ngrehte kravatën... Të gjithë sa ishim aty ua kishim ngulun sytë, por dy të rijt s’dojshin me ja dijtun aspakë. M’erdhi të ndytë... Ishin të huej: grijshin italisht.
28 Tetuer
Shtëpija qi kemi nxanë s’asht e keqe tue marrë parasysh sa vështirë asht me gjetun banesë ktu në kryeqytet. Asht mbi nji rrugë qi rrahet; ka katër dhoma, të rregullta, dhe nji copë oborr përpara.
Kto dy ditë kam kenë vazhdimisht e xanun me punë, tue rregullue plaçkat ndër dhoma. Shtëpija jonë vlon: tash e parë ndërrohen kushrij e të njoftun qi vinë për urim.
Pata menduem se fëtyrat e reja të njerzve dhe ndërrimi i madh i vendit do të m’i epshin jetës nji tjatër drejtim e hov. Por deri tash asgja. Kam shpresuem ndoshta kot?
29 Tetuer
Sot mbasdreke, kur po shikojshem rrugën nga dritorja e ballkonit, qeshë dëshmitare e nji ngjarjeje jo fort të zakonshme.
Kaluen dy karroca të hapta, thuej se njena bri tjetrës. Në njenën ishte nji zotni mjaft i majtun, jo krejt i ri, në tjetrën nji grue me xhaketë të verdhë, me ftyrë të thatë e me flokë të shpupurishun. Grueja i bante me shej karrocierit qi të rendte sa ma shpejt, ndërsa burri nxitte karrocierin e vet: “Bjeri kalit! Fort!” Por dy karrocat erdhën në paralel, karrocieri i zotnisë në vend qi t’i binte kalit, i ra shokut të vet! Ky brofi në kambë e i vringëlloi tjatrit kamxhikun e vet me sa forcë qi pati...
Kto ndodhën brenda pakë çastesh. Por unë përnjiherë kuptova shkakun. Zotnija me Zojën (a zojushën) kishin pasë nji “mosmarrveshtje”; Zoja ishte larguem me idhnim tue thirrun nji karrocë. E Zotnija i ishte vumë mbrapa me nji tjetër. Karrocierët, të paguem mirë si duket, njeni për ikje e tjetri për ndjekje, kishin dashtun me e kryem me zell detyrën e tyne: këndej kacafytja.
Por gjaja qi më bani me qeshë qe jo kjo por nji tjetër. Kur panë kuajt e karrocavet se zotnijt e tyne po grindeshin, menduen se edhe ata, si shërbëtorë besnikë, duhej të merrnin pjesë n’atë grindje. Qysh ishin tue ngamë me turr u ndalën papritmas e filluen me hinglluem e me qitun shqelma... Unë kishem zgjatun kryet nga dritarja e kundrojshem kët skenë. Pala e parë luftojshin me fjalë e me të ngërdheshuna, pala e dytë me fjalë e kamxhikë dhe pala e tretë me hingëllime e me shqelma.
Por kuajt u diftuen ma të zgjuet se zotnijt e tyne. Mbas nji bashkfjalimi të shkurtë ata gjetën shpejt shkaktarët e vërtetë të mosmarrveshtjes. “Na jemi veç shërbëtorë”, i thanë njeni tjatrit. “Pse të prishemi për punë të zotnijve t’onë?” E menjiherë pushuen tue u bamë spektatorë, edhe ata si unë.
E ç’me pamë? Nga të ndalunit e befshëm të karrocavet, njerzit mbrenda tyne kishin humbun ekuilibrin: Zoja ishte përplasun n’anën tjetër me nji britëm të keqe, ndërsa Zotnija, qi kishte qilluem në kambë, ishte rrokullisëm teposhtë tue mbaruem në nji hendek anës rrugës! Edhe karrocierët nuk dolën pa gja: njenit iu thye kamxhiku dhe tjetrit i ngeli vija e këtij mbi faqe... Ata qi shpëtuen pa dam qenë kuajt, sepse ata u treguan ma të mendshmit!
* * *
Sonte deri vonë m’asht dashtun me pritun vizita. Po shënoj ktu atë të zotni F., nji personalitet në kuptimin e vërtetë të fjalës. Çdo gja në te pasqyron cilsitë e tija të shqueme, mendjen e urtë dhe karakterin burrnuer. Nuk ban pjesë n’asnji parti politike. Asht nji ndër të rrallët qi gjatë ksaj periudhe ka dijtun me qëndruem i papërlyem sepse ka kuptuem ma mirë se të tjerët karakterin tranzitor të gjendjes s’onë politike.
U çudit kur më pau. “Sa je rritun e zbukuruem!”, më tha. “Kur kam kenë unë në Shkodër, të mbaj mend njikaq”, e kallxoi pllambën e dorës.
28 Korrik 2008