Muza nuk nxitet me kamxhik
Ekzistenca jonë nuk mund ta pranojë pushimin, prandaj plogështia është e padurueshme dhe mbart me vete një mërzi të tmerrshme. Ndaj nevojitet edhe një rregull për këtë instikt, me qëllim që ta kënaqim metodikisht e në mënyrën më të mirë. Për lumturinë njerëzore, aktiviteti është i pashmangshëm: duhet të bëjmë diçka, të përpiqemi sa të mundim, të kërkojmë të paktën të mësojmë. Forcat duan të merren me ndonjë gjë dhe njeriu ka nevojë të shohë rezultatet. Nga kjo pikëpamje, asgjë nuk të jep më shumë kënaqësi, sesa kryerja e diçkaje, një shportë, një libër, nuk ka rëndësi se cili është objekti. Për të qenë përnjëherë të lumtur, mjafton të shohësh veprën të rritet çdo ditë mes duarve dhe të arrijë në fund përkryerjen e vet. Dhe mund të bëhet fjalë për një vepër arti, për një shkrim apo për një punë të thjeshtë dore.
Duhet të mësohemi t’i quajmë forcat personale shpirtërore si funksione fiziologjike, në mënyrë që t’i përdorim ose kursejmë sipas masës, duke u kujtuar se çdo dhimbje fizike, çdo stërlodhje, çdo çrregullim, turbullon shpirtin. Pikërisht pakujdesia ndaj kësaj këshille, ka qenë motivi kryesor për të cilin mjaft njerëz të mëdhenj e eruditë të shquar u dobësuan në pleqëri nga mendtë, u kthyen në fëmijë, deri dhe në maniakë. Kështu, për shembull, fakti që poetët anglezë si Uollter Skoti, Uordsuërthi, Sauthi e mjaft të tjerë, në pleqëri, madje qysh në moshën gjashtëdhjetëvjeçare, u bënë të errët e të paaftë shpirtërisht ose arritën deri të fundoseshin në marrëzi, shpjegohet se ata, të kënaqur me honoraret e larta, e ushtruan si një zanat artin e të shkruarit, duke punuar për fitime; kjo të çon të bësh përpjekje të panatyrshme, dhe ai që ia nënshtron Pegasin e vet zgjedhës dhe nxit Muzën e tij me kamxhik, duhet të paguajë, ashtu sikurse ai që i bën Venerës një shërbim të tepruar.
Artur SHOPENHAUER
Jeta është lëvizje, ka thënë Aristoteli me plot të drejtë. Ndaj, ashtu sikurse jeta jonë ndjek një lëvizje të pandërprerë, e cila është edhe kushti për ekzistencën e saj, edhe jeta shpirtërore kërkon të merremi me diçka, me veprim e mendim. Këtë e provon trokitja me gishta apo me çfarëdo objekti pas të cilit lidhen njerëzit, kur gjenden pa shqetësime e mendime. Ekzistenca jonë nuk mund ta pranojë pushimin, prandaj plogështia është e padurueshme dhe mbart me vete një mërzi të tmerrshme. Ndaj nevojitet edhe një rregull për këtë instikt, me qëllim që ta kënaqim metodikisht e në mënyrën më të mirë.
Për lumturinë njerëzore, aktiviteti është i pashmangshëm: duhet të bëjmë diçka, të përpiqemi sa të mundim, të kërkojmë të paktën të mësojmë. Forcat duan të merren me ndonjë gjë dhe njeriu ka nevojë të shohë rezultatet. Nga kjo pikëpamje, asgjë nuk të jep më shumë kënaqësi, sesa kryerja e diçkaje, një shportë, një libër, nuk ka rëndësi se cili është objekti. Për të qenë përnjëherë të lumtur, mjafton të shohësh veprën të rritet çdo ditë mes duarve dhe të arrijë në fund përkryerjen e vet. Dhe mund të bëhet fjalë për një vepër arti, për një shkrim apo për një punë të thjeshtë dore. Sidoqoftë, përfundimi është i njëjtë. Por, natyrisht, sa më fisnike të jetë puna, aq më e madhe do të jetë kënaqësia. Në këtë këndvështrim, njerëzit me dhunti janë edhe më të lumturit, duke qenë të ndërgjegjshëm për aftësitë e tyre për të kryer vepra të mëdha dhe të rëndësishme. Një interes i lartë mbush ekzistencën e tyre, duke i dhënë një ngjyrim që u mungon të tjerëve. Për ta, jeta e botës, përveç jetës materiale të përbashkët për të gjithë, ka një interes të dytë superior e formal, meqë nga kjo rrjedh materia e veprave të tyre, për mbledhjen e të cilave merren me zell gjatë tërë jetës, sapo nevojat personale i lejojnë të marrin frymë lirisht.
Në njëfarë mase, edhe intelekti i tyre duket i dyfishtë: ndërsa merret, ashtu si të tjerët, me raportet e përbashkëta (objektet e vullnetit), është në të njëjtën kohë i vëmendshëm ndaj kuptimit të vërtetë objektiv të gjërave. Kështu ata bëjnë një jetë të dyfishtë, spektatorë e aktorë së bashku, kur gjithë të tjerët nuk mund të jenë veçse aktorë. Secili duhet të bëjë diçka sipas mundësive të tij. Se sa e dëmshme është mungesa e një aktiviteti të rregullt çfarëdo, duket qartë në udhëtimet e gjata për qejf, kur ndihemi befas tërësisht të lumtur, sepse duke mos pasur ndonjë shqetësim të veçantë, ndihemi gati të shkulur nga elementi ynë i natyrshëm. Njeriu ka nevojë të lodhet në luftën kundër pengesave, ashtu si urithi të gërmojë galeritë.
Gjendja e qetësisë, që jep shijimin e përkryer të një kënaqësie të vazhduar, i duket e padurueshme. Shpagimi i vërtetë i qenies njerëzore qëndron në fitoren ndaj pengesave. Këto mund të jenë materiale (në aktivitetin praktik ose në ushtrimin e një zanati) ose shpirtërore (në studimin e kërkimet). Por është gjithnjë lufta kundër tyre dhe fitorja që na bën të lumtur. Dhe nëse mungon rasti, e krijojmë si të mundemi; sipas individualiteteve të ndryshme do të dalim për gjah ose do të lozim apo, të drejtuar nga prirjet e fshehura të natyrës sonë, do të kërkojmë të shpikim telashe dhe intriga, të ngatërrohemi në mashtrime e veprime të pandershme të çdo lloji, vetëm e vetëm që të çrrënjosim atë gjendje të padurueshme plogështie.
* * *
Jeta jonë nuk duhet të udhëhiqet nga imazhet e fantazisë, por nga ide të konceptuara qartë. Ndërsa kryesisht ndodh e kundërta. Nga një studim serioz mbi këtë argument, do të shohim se nuk janë idetë e gjykimet që nxisin përgjithësisht vendimarrjen tonë, por është një imazh i fantazisë, i cili paraqet një nga alternativat dhe e mbron. Në një roman të Volterit ose të Didërosë (nuk më kujtohet mirë), vesi e virtyti i paraqiten në udhëkryq Heroit (një djalosh sipas modelit të Herkulit); virtyti me pamjen e zakonshme të një plaku, që mban në dorën e majtë një llullë dhe në të djathtën qesen e duhanit, ndërsa vesi me veshjen e një shërbëtoreje. Veçanërisht gjatë rinisë, qëllimi i lumturisë sonë ngulitet në formën e disa imazheve, që do të na dalin gjithnjë përpara dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë shpesh deri në gjysmën e jetës, e ndonjëherë deri në vdekje. Ato janë si shtojzovallet: kur i mbërrijmë, shkrihen si mjegulla dhe ne provojmë me dhimbje faktin se nuk kryejnë kurrë atë që premtojnë. Është e natyrshme që të ndodhë kështu: ajo çka kundrojmë, duke qenë se është e përnjëhershme, vepron mbi vullnetin tonë më drejtpërsëdrejti sesa ideja e mendimi abstrakt, të cilët japin vetëm të përgjithshmen dhe jo veçantitë. Por pikërisht e veçanta përmban realitetin, prandaj mendimi mund të veprojë mbi vullnetin vetëm në mënyrë të ndërmjetuar.
* * *
Rregulli i mësipërm i nënshtrohet një rregulli tjetër më të përgjithshëm, nga i cili rezulton se, mbi të gjitha, është e nevojshme që të sundosh përshtypjet, të cilat janë pakrahasimisht më të forta se mendimi e ndërgjegja, jo për materien dhe përbërjen e tyre shpesh mjaft të kufizuar, por për virtyt të asaj forme të tyre intuitive dhe të drejtpërdrejtë, e cila ndërfutet në shpirt, duke turbulluar paqen dhe duke bjerrur qëllimet. Ajo çka ekziston dhe është e kapshme me intuitë, për vërtetueshmërinë e saj të lehtë, vepron gjithnjë me tërë forcën e vet; ndërsa idetë dhe parimet kërkojnë kohë e qetësi për t’u shqyrtuar deri në fund dhe një nga një. Si rrjedhim, ato kënaqësi nga të cilat kemi hequr dorë, duke iu bindur gjykimit, vazhdojnë të na nxisin me përfytyrimin e tyre. Në gjithë këtë mbizotëron vendosmërisht irracionaliteti i qenies sonë. Edhe gratë bëhen shpesh subjekt ndaj përshtypjeve të tilla. Kur nuk mund ta mposhtim një përshtypje vetëm përmes mendimit, është me leverdi ta zhvlerësojmë me një të kundërt: për shembull, një fyerje - përmes kërkimit të atyre që na vlerësojnë, një rrezik të afërt - me vlerësimin efektiv të masave që mund ta parandalojnë, etj.
Një italian, për të cilin flet Leibnici tek vepra “Nouveaux essais” (kap. 2, par. II i librit I) arriti t’u rezistonte dhimbjeve të torturës, duke mbajtur vazhdimisht të ngulitur në fantazi imazhin e trekëmbëshit, ku do ta çonte rrëfimi. Për këtë qëllim ulërinte herë pas here: “Unë të shoh!”, dhe më vonë i shpjegoi pikërisht kështu fjalët e tij. Ndaj, në sajë të parimit të vlerësuar këtu, është e vështirë të mos ngurrojmë, kur ata që na rrethojnë kanë të gjithë një opinion të kundërt dhe sillen sipas tij. Kjo ndodh edhe pse ne jemi të bindur për gabimin e tyre. Për një mbret të përndjekur dhe ikanak, që udhëton si i panjohur, ceremoniali që vazhdon të ruhet nga shoku i tij besnik, vlen si një nxitje tepër e nevojshme, pa të cilën ai do të fillonte të dyshonte për vetveten.
* * *
Derisa kemi shëndet të rregullt, duhet të forcojmë sa trupin, aq dhe gjymtyrët, duke ia nënshtruar ushtirmeve e lodhjes. Sapo shfaqet ndonjë ligështi e përgjithshme ose e lokalizuar në ndonjë organ, duhet të ruajmë dhe kurojmë, me çdo mënyrë, trupin e sëmurë ose pjesën e prekur. Puna energjike forcon muskujt, por dobëson nervat. Prandaj duhet të ushtrohen muskujt me përpjekje të përshtatshme, por të ruhen nervat; të ruhen sytë nga drita shumë të forta, sidomos kur janë të reflektuara, dhe nga sforcimet të bëra në gjysmëhijen e mbrëmjes ose nga vëzhgimi tepër i zgjatur i gjërave të vogla; të ruhen veshët nga zhurmat e mëdha dhe mbi të gjitha truri, sidomos nga tensionet e dhunshme, të vazhdueshme ose të pavlera, të lihet të pushojë edhe gjatë tretjes, sepse forca jetësore që formon mendimet në tru, punon pa u lodhur në stomak dhe në zorrë për të pëgatitur kimusin gjatë e pas sforcimeve të rënda muskulore.
Kjo vlen sa për nervat motore, aq dhe për ato sensitive, dhe ashtu sikurse dhimbja që provojmë në gjymtyrët e prekura e ka qendrën e saj të vërtetë në tru, kështu jo këmbët dhe duart, por truri ecën e punon; përmes degëzimeve nervore dhe palcës së kurrizit, ai nxit nervat e gjymtyrëve duke i vënë në lëvizje. Pra, edhe dhimbja që provojmë në këmbët ose në krahët e ka qendrën e saj të vërtetë në tru; pikërisht për këtë lodhen aq shumë muskujt që i nënshtrohen një komande, pra, varen nga truri, ndërsa nuk lodhen muskujt e tjerë, si zemra, që punojnë pa ndërhyrjen e vullnetit. Prandaj është e tepërt ta detyrojmë trurin të përballojë një tension shpirtëror në të njëjtën kohë, ose menjëherë pas një aktiviteti të rëndë muskulor. Megjithatë, kjo nuk kundërshton faktin që, pas një shëtitjeje, dallohet një aktivitet më i madh shpirtëror: truri në një rast të tillë nuk sforcohet dhe nga ana tjetër lodhja e lehtë muskulore, duke nxitur frymëmarrjen, sjell në tru një fluks gjaku arterioz, pra dhe oksigjen të pastër. Mbi të gjitha, duhet t’i japim trurit masën e plotë të gjumit të nevojshëm për çlodhjen e tij, meqë për njeriun, gjumi është si kurdisja për orën. Kjo masë do të varet nga aktiviteti e zhvillimi i trurit; teprimi përtej së nevojshmes do të ishte thjesht një humbje kohe, meqë gjumi humbet në cilësi atë që fiton në kohëzgjatje.
* * *
Është e nevojshme të kuptojmë se të menduarit nuk është veçse një funksion organik i trurit tonë dhe, përsa i takon sforcimit e lodhjes, duhet të sillemi njësoj si me aktivitetet e tjera. Ashtu si një sforcim i tepruar prish sytë, një sforcim mendimi prish mendjen. Është thënë me të drejtë që mendimi mendon, ashtu sikurse stomaku tret. Iluzioni për një shpirt jomaterial, të thjeshtë, që mendon pa pushuar e pa u lodhur dhe që nuk ka nevojë për asgjë nga bota, i ka shtyrë sigurisht shumë njerëz në një sjellje kaq të pakuptimtë, sa për të cunguar forcat e tyre shpirtërore, si për shembull Federiku i Madh, i cili u përpoq disa herë të çmësohej plotësisht me gjumin.
Edhe profesorët e filozofisë nuk duhet të bëhen përhapës të iluzioneve të tilla të dëmshme për jetën praktike, me shtëllungat e tyre filozofike të mbështjella me sentenca katekizmi. Duhet të mësohemi t’i quajmë forcat personale shpirtërore si funksione fiziologjike, në mënyrë që t’i përdorim ose kursejmë sipas masës, duke u kujtuar se çdo dhimbje fizike, çdo stërlodhje, çdo çrregullim, turbullon shpirtin. Lidhur me këtë janë shumë të dobishme mësimet e Kabanisit, në librin e tij “Raportet e fizikut e të moralit të njeriut”. Pikërisht pakujdesia ndaj kësaj këshille, ka qenë motivi kryesor për të cilin mjaft njerëz të mëdhenj dhe eruditë të shquar u dobësuan në pleqëri nga mendtë, u kthyen në fëmijë, deri dhe në maniakë.
Kështu, për shembull, fakti që poetët anglezë më të njohur të këtij shekulli, si Uollter Skoti, Uordsuërthi, Sauthi dhe mjaft të tjerë, në pleqëri, madje qysh në moshën gjashtëdhjetëvjeçare, u bënë të errët dhe të paaftë shpirtërisht ose arritën deri të fundoseshin në marrëzi, shpjegohet se ata, të kënaqur me honoraret e larta, e ushtruan si një zanat artin e të shkruarit, duke punuar për fitime; kjo të çon të bësh përpjekje të panatyrshme, dhe ai që ia nënshtron Pegasin e vet zgjedhës dhe nxit Muzën e tij me kamxhik, duhet të paguajë, ashtu sikurse ai që i bën Venerës një shërbim të tepruar. Dyshoj se edhe Kanti, në vitet e tij më të vona, pasi kishte arritur famën, u nervozua nga puna e tepërt, duke përcaktuar kështu fëmijërinë e tij të dytë katër vitet e fundit të jetës. Çdo muaj i vitit ka një ndikim të drejtpërdrejtë mbi shëndetin tonë, mbi gjendjen tonë fizike dhe, në mënyrë të veçantë, mbi gjendjen tonë shpirtërore.
Përktheu Erion Kristo
28 Korrik 2008