E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duke zbuluar “Ditarin intim”



Botohet libri i Bedi PIPËS

Libri “Ditar Intim” botohet sipas dorëshkrimit, që motrat e Bedi Pipës i dhanë botuesit “Fjala”. Ndonëse dorëshkrimi u përgatit për botim me një parathënie të gjerë shpjeguese nga i vëllai i Bedit, shkrimtari e studiuesi Arshi Pipa (fill pas daljes së tij nga burgu), fletët e këtij ditari botohen të plota për herë të parë në këtë botim të kolanës “Ad Memorandum”. Vlera e shënimeve të këtij ditari ka një rëndësi të posaçme për lexuesin e sotëm. Janë shënimet e një femre të kulturuar shqiptare të viteve 1943-1944. Përjetimet, bota e saj shpirtërore dhe emocionale përthyhen në meditime e reflektime të holla, jo vetëm mbi përditshmërinë e saj, por në tërësi mbi problemet e përjetshme të qenies, domethënien e ekzistencës së saj në vetvete dhe në shoqëri.
Arshi Pipa, ndër të tjera, shënon: “Sa qeshë kthye në familje mbas burgut të gjatë, një ditë ndërsa vejsha pak rend mbi ato shkrime e botime që më kishin teprue, gjeta ndërmjet fletoreve të ndryshme edhe disa që nuk ishin të mijat. Nuk kishin emën, por prej shkrimit i njofta menëjherë: ishin të motrës së vdekun. Ishin tri fletore, gati të gjitha të mbushuna me nji shkrim ku ma të shpeshtë, ku ma të qartë, ku ma të ngatrruem. Ndër to ishin edhe disa fletë të shkëputuna. Nuk dijsha asgja rreth ktyne fletoreve dhe të gjetunit e tyre qe për mue nji e papritun. Pyeta atëherë motrën e dytë, e cila më diftoi se këto fletore ishin njifarë ditari që e shkreta kishte pasë mbajtë dikur. Në njenën sosh lexohej mbi mbulesë: “Ditar Intim”. Por cila qe e paprituna tjetër kur u vuna me i lexue. Zbulimi i vërtetë ishin jo fletët, por çfarë gjindej ndër to...”

28 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›