E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana: Nuk jam lojtar i “pistë”

Edhe pse ka vendosur një rekord përsa u përket dënimeve disiplinore në kampionatin anglez, Lorik Cana insiston se ai nuk është një futbollist i pistë. Në një intervistë dhënë gazetës angleze “Daily Express, mesfushori kuqezi ka deklaruar se i respekton gjithnjë kundërshtarët. “Gjithnjë përpiqem të bëj një lojë fair-play dhe vetëm njëherë në jetë kam marrë karton të kuq për arsye të ndryshme nga një ndërhyrje, - ka thënë ai. – Ndonjëherë hyj me vonesë dhe përdor shumë forcë, por ky është futbolli. Them se njerëzit mund ta kuptojnë se nuk jam djalë i keq apo ndonjë person që mundohet të dëmtojë kundërshtarin”. Sipas Canës, ai shihet paksa me sy të keq edhe nga arbitrat. “Të them të drejtën, duhet të ndërtoj raporte më të mira me ta. Unë nuk jam ndëshkuar kurrë me karton përveçse për lojë të rëndë. Luaj çdo vit 34-35 ndeshje dhe nuk dëmtohem kurrë, - deklaroi mesfushori shqiptar. – çdo mesfushor shkatërruese apo mbrojtës mungon 2-3 ndeshje gjatë vitit për shkak kartonash. Krahasoni njëherë rekordin tim me atë të Patrik Vieira apo Roi Kin, lojtarë të këtij roli. Nuk mendoj se jam më i egër se ata. Unë kënaqesha shumë kur shihja Vieiranë dhe Kin përballë njëri-tjetrit, pasi janë lojtarë të ngjashëm dhe lidera në skuadër”, shtoi Cana.(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›