Ndalet çelsi, Mançini debuton me fitore
ANGLI- çelsi është ndalur sërish, duke mos shkuar më shumë se një barazim pa gola në fushën e Birmingamit. Barazimi i tretë në 5 ndeshjet për ekipin e drejtuar nga Karlo Ançeloti, që gjithsesi e çon në 5 pikë diferencën me Mançester Junajtid. Ndaj Birmingamit çelsi ka patur një dominim të lehtë të sfidës, por pa mundur të finalizojë rastet e krijuara. Vendasit shënuan një gol me Benitez në pjesën e parë, por që u anulua për pozicion jashtë loje, megjithëse ai mbahej në lojë nga Drogba i shtrirë. Florent Maluda pati rastin më të mirë për çelsin, kur me portën bosh goditi në mënyrë të gabuar. Ndërkohë, ka nisur me fitore aventura e Roberto Mançinit në krye të Mançester Sitit. Martin Petrov e Karlos Tevez shënuan që në pjesën e parë, duke mbyllur llogaritë me këtë takim. Siti në këtë mënyrë konsolidon pozitat në vendin e 6-të dhe shkon në -10 pikë nga çelsi, por me një ndeshje më shumë për të luajtur. Ndërkaq, ka fituar edhe Uest Hemi i Xhanfranko Xolës, që mundi 2-0 Portsmuthin, një rivale direkte në betejën për të qëndruar në kategori. Te fitorja është rikthyer edhe Liverpuli i Benitez, që mundi të triumfojë 2-0 nga Ulvs. Momenti deciziv ishte minuta e 53-të, kur Uard doli me të kuqe. Edhe pse në fillim arbitri nuk e pa dhe ia akordoi kartonin e verdhë një tjetri, ishte anësori ai që ndërhyri. Në minutën e 62-të, Xherard realizoi me kokë pas një krosi të Insuas nga e majta, ndërsa 8 minuta më vonë Josi Benajun dyfishoi shifrat, pas një veprimi të bukur në zonë. Ndërkohë ka përfunduar në barazim pa gola derbi i Londrës mes Fulhamit dhe Totenhemit, ndërsa Sandërlendi i Canës barazoi 1-1 në “Stadium of Light” ndaj Evertonit. Me të njëjtin rezultat u mbyllën edhe sfidat Uigan-Blekbërn dhe Bërnlei-Bolton. Kjo javë do të mbyllet me ndeshjet e së dielës Arsenal-Aston Vila dhe Hull-Mançester Junajtid.(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)