E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana: Sandërlend, në Europë shkohet edhe nga "Carling Cup"

Kapiteni i Sandërlendit, Lorik Cana, i kërkon skuadrës së tij ta marrë seriozisht sfidën në "Carling Cup" ndaj Aston Vilës. Shqiptari do të udhëheqë ekipin e tij drejt Europës në fund të këtij sezoni, prandaj ai e shikon Kupën si një mundësi për të arritur atje. Cana u shpreh se "‘Carling Cup‘ është një rrugë e shkurtër për të marrë pjesë në kompeticionet europiane. Por më duhet të them se do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi Aston Vila është një ekip shumë i fortë". Kapiteni i Sandërlendit e ka paralajmëruar skuadrën e tij se, pavarësisht pozitës së mirë aktuale në tabelë, për momentin është më e rëndësishme të synojnë të ruajnë ritmin e lojës në më shumë se tre ndeshje radhazi. Të shtunën, humbja 2-1 ndaj një Birminghemi të fortë erdhi si një shok për këtë ekip, pas rezultateve mbresëlënëse që ata mundën të merrnin në ndeshjet e mëparshme, ndaj Liverpulit dhe Mançester Junajtid. "Ishte vërtet zhgënjyese për ne, përsëriti edhe një herë Cana, në prononcimin tij për BBC-në. Pas rezultateve të mira, nuk mundëm të ruanim nivelin e lojës. Prandaj mendoj se do të jetë një sezon i vështirë, nëse nuk do të mundemi ta ndryshojmë këtë". Skuadra e trajnerit Stiv Brus renditet e teta në Premier League me 16 pikë në 10 ndeshje, vetëm 3 pikë pas Totenhemit, të pozicionuar në vendin e katërt. Ndërkohë që "Macet e Zeza" do të hidhen përsëri në veprim të martën, kur do të presin vizitën e Aston Vilës në "Stadiumin e Dritës" në një ndeshje të vlefshme për "Carling Cup". Dhe futbollisti i Kombëtares shqiptare e shikon këtë kompeticion si rrugën ideale drejt Kupave të Europës. "Është një rrugë e mirë për të shkuar në kompeticionet europiane në sezonin e ardhshëm dhe në mënyrë të veçantë kemi mundësinë të bëjmë një ndeshje të mirë, pasi luajmë në shtëpi", ka thënë ai. "Ne kemi mbështetjen e fansave tanë. Unë jam i bindur dhe ne duhet mbajmë lart nivelin e lojës sonë. Një klub si Sandërlendi duhet të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që i jepen për të arritur më pas në finale. Duhet të hyjmë në fushë për të fituar". Ndeshja e fundit në kompeticionet europiane për Sandërlendin daton në 1973/‘74, që erdhi pas fitores së tyre në "FA Cup" në finalen kundër Leeds Junajtid, që u mundësoi pjesëmarrjen në Kupën e Kupave. Skuadra mundi me rezultatin e përgjithshëm 3-0 klubin hungarez Vasas Budapest dhe më pas humbi përballë gjigantëve portugezë të Sportingut të Lisbonës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›