E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skuadra e Duros, probleme me finalizimin

Besa nuk përfiton nga hapi fals i Dinamos me Skënderbeun. Kavajasit barazuan 0-0 në ndeshjen e fundit të javës së tetë me Apoloninë, duke humbur shansin që t‘i bashkohen bluve në kreun e klasifikimit të Kategorisë Superiore. Problemi kryesor për skuadrën e drejtuar nga Shpëtim Duro vazhdon të jetë goli: pavarësisht emrave me peshë që luajnë në repartin ofensiv, finalizimi lë shumë për të dëshiruar. Kjo u pa qartë edhe në sfidën e së dielës kundër fierakëve. Edhe pse ka dominuar lojën, duke kërkuar me ngulm tri pikët, Besa nuk arriti të finalizojë aksionet e krijuara përpara portës mike. Në një 90-minutësh të karakterizuar nga kujdesi (deri diku i tepruar) taktik dhe nga terreni i vështirë, Mancaku, Daniel Xhafaj e Çikalleshi nuk arritën të bëjnë diferencën në fushë. Verdhezinjtë regjistrojnë ndeshjen e tretë pa shënuar gol në këtë sezon, ndërsa shifrat konfirmojnë se problematika në repartin ofensiv ekziston. Në tetë javë, skuadra ka realizuar vetëm shtatë gola dhe ajo ka sulmin e pestë më të keq mes 12 elitareve (së bashku me Tiranën), e thënë me gjuhën e shifrave 0.87 gola në ndeshje. Mungesa e golit është ndjerë kryesisht në gjashtë takimet e fundit, ku Besa ka arritur tre fitore dhe tre barazime, duke realizuar vetëm tre rrjeta (në portën e Laçit, Skënderbeut dhe Flamurtarit), me një mesatare 0.5 gola në ndeshje. Të dhëna shqetësuese për një skuadër që pretendon të luftojë deri në fund për fitimin e titullit, mbi të gjitha kur merret parasysh fakti që Dinamo e vendit të parë dhe Apolonia e vendit të tretë kanë realizuar nga 13 gola (1.85 gola në ndeshje).
Edhe trajneri Duro në fund të takimit ka rikujtuar problemet në finalizimin e aksioneve, megjithatë, ai nuk ka dashur ta dramatizojë situatën. "Ashtu si edhe Dinamo, ne kemi gabuar gjatë kësaj jave, duke mos marrë maksimumin. Kemi qenë superiorë gjatë gjithë ndeshjes, duke dominuar në çdo aspekt të lojës, megjithatë nuk arritëm të shënonim në rastet e krijuara. Kemi marrë një pikë që gjithsesi është e vlefshme, ndërsa nuk mendoj se barazimi është ndonjë hata e madhe. Ishte një sfidë e fortë, përballë një kundërshtari që nuk na la shumë hapësira. Nuk e shfrytëzuam gabimin e Dinamos, për t‘u rikthyer në krye, gjithsesi kampionati është i gjatë dhe kemi ende shumë ndeshje përpara", tha trajneri. Pika e marrë përballë Apolonisë erdhi edhe për meritë të portierit Orges Shehi, që në momentet e fundit neutralizoi në mënyrë perfekte një tentativë të rrezikshme të Kaçit. "Gardiani" verdhezi ka pësuar vetëm një gol në tetë javë, (më 30 gusht, në fitoren 2-1 në Peqin) dhe prej 720 minutash nuk lejon rrjetën e skuadrës së tij të preket.
Në anën tjetër Apolonia vazhdon momentin pozitiv në Superiore: bardhejeshilët nuk njohin humbje prej katër javësh, periudhë në të cilën kanë regjistruar tre fitore dhe një barazim. Me këto paraqitje skuadra e Karishik mban me meritë vendin e tretë në klasifikim, duke u konfirmuar mes skuadrave që pretendojnë një vend në kupat e Europës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›