E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skela, lideri i ri i Koblencit

I kanë mjaftuar vetëm dy ndeshje që të shndërrohej në liderin e TuS Koblencit dhe të fitonte mbështetjen e të gjithë skuadrës. Me fantazinë dhe klasin e tij të lartë, Ervin Skela është shndërruar në një prej shtyllave të skuadrës së Bundesligës II gjermane. Pas fitores 2-1 në fushën e Grojther Furthit, trajneri Uve Rapolder ka vlerësuar paraqitjet e 32-vjeçarit dhe impulsin e ri që ai i ka dhënë lojës së Koblencit. Gjatë fundjavës, është vlerësuar mbi të gjitha edhe një aspekt i ri në lojën e kapitenit kuqezi, përfshirja në fazën mbrojtëse. Në deklaratat e tij, drejtuesi i stolit e cilësoi Skelën si "një lloj lideri për skuadrën në fushë, i cili mbështet shokët edhe në fazat kritike të lojës". Gjithashtu, Rapolder e vuri theksin në deklaratën e tij, te fakti se afrimi i mesfushorit i ka dhënë më shumë cilësi Koblencit. "Blerja e Skelës ka bërë që skuadra të përmirësohet edhe në aspektin taktik. Lojtari po vë në shërbim të grupit eksperiencën e madhe që ka fituar gjatë këtyre viteve në futbollin gjerman", përfundoi trajneri.

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›