Galiani: Synojmë Champions-in, Huntelar nuk largohet në janar
Pas fitores së arritur në fushën e Kievos, Adriano Galiani flet për situatën te Milani. "Synojmë të renditemi mes tri vendeve të para në kampionat, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se kënaqemi me vendin e tretë… Për një klub si ky i yni, kualifikimi në Champions është një detyrim. Natyrisht, një tjetër objektiv është që aventura jonë në aktivitetin më prestigjioz për klube të zgjasë sa më shumë", tha numri 2 i kuqezinjve rreth objektivave sezonalë. Galiani ka folur edhe rreth heronjve të fundjavës te Milani, mbrojtësi Alesandro Nesta, autor i dy golave të fitores në Verona dhe portieri Nelson Dida, protagonist i disa pritjeve vendimtare. "Edhe në stërvitje Dida është i jashtëzakonshëm. Ndaj Realit nuk bëri gabim teknik, por prej nxitimit topi i shpëtoi nga duart. Duhej të tregoheshim të duruar me portierin brazilian dhe i dhamë besim edhe pas sfidës në Madrid", tha administratori i klubit. "Nesta? Është një prej mbrojtësve të qendrës më të mirë në qarkullim. I kaloi plotësisht problemet fizike dhe tashmë është më i fortë se më parë". Për merkaton Galiani theksoi: "Nuk kam thënë asnjëherë që do të blejmë lojtarë në janar. Do të vijë një mesfushor anglez, i cili quhet Devid Bekham, kjo është thuajse 100 për qind e sigurt. Huntelar do të qëndrojë te Milani, nuk do ta nxjerrim në merkato".