E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana, afër Lazios

Lorik Cana mund t’i bashkohet Lazios gjatë verës. Drejtori sportiv i Biancocelestëve, Igli Tare, ka konfirmuar se bisedimet veç kanë filluar, ndërsa është optimist se mesfushori kosovar do të përfundojë në Itali. Lazio është e gatshme t’i shpenzojë 4.5 milionë euro për 27 vjeçarin, i cili mund ta lë Galatasarayn vetën pas një sezoni. Nga Express më 01 prill 2011 në ora 14:35

E ardhmja e Lorik Canës mund të jetë e lidhur me Lazion. Mesfushori kosovar e kishte paramenduar ndryshe eksperiencën në Galatasaray. Gjiganti turk pati një sezon zhgënjyes dhe gjatë verës priten të bëhen ndryshme rrënjësore aty.

Njëri ndër futbollistët që pritet të largohet vetëm pas këtij viti është pikërisht përfaqësuesi shqiptar. Dhe, ai që po përkujdeset ta sjellë në Itali mesfushorin shkatërrues është drejtori sportiv i Lazios dhe ish bashkëlojtari i Canës në Kombëtare, Igli Tare.

Ky i fundit e ka konfirmuar fillimin e bisedimeve ndërmjet palëve, por insiston se ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

“Është e vërtetë, jemi duke biseduar për Lorik Canës, mirëpo ende janë duke u bërë vetëm hapat e parë. Mbetet gjithçka e hapur për transferimin e tij në Lazio. Në ditët e ardhshme do të shohim se çka do të ndodhë”, ka thënë Tare për mediet italiane.

Sidoqoftë, ai është optimist se në fund Cana do të bëhet ‘Biancocelesto’. “Jam optimist, ky transferim mund të realizohet, mund t’ia dalim mbanë”, ka shtuar Tare.

Gjithnjë sipas mediave italiane, presidenti Claudio Lotito mund ta kryejë këtë çështje duke shpenzuar 4.5 milionë euro për ish futbollistin e PSG, të Olympique Marseille e Sunderland. Ngase fakti se Cana do të largohet nga Stambolli, duket më se i qartë.

Sipas të përditshmes ‘Corriere dello Sport’, Cana mund t’i kryejë punë të madhe Lazios si në mesfushë, në aspektin defanziv, ashtu edhe në mbrojtje, të cilën pozitë po e aplikon kohëve të fundit.

Tare e Cana janë shokë të mirë dhe gjithçka mund të zgjidhet pa problem në këtë rast. Qysh në janar, Cana ishte pranë transferimit në Lazio, por më pas lojtari kishte preferuar të qëndronte në Turqi, së paku deri në qershor.

Menaxheri i tij, Ceylan Caliskan, muajt e kaluar e kishte konfirmuar lajmin se Lazio ishte e gatshme t’i paguante 4.5 milionë euro, por që lojtari nuk ka dashur të largohet në gjysmë të sezonit.

Në atë rast, Lazio e kishte rritur ofertën për 2-3 milionë, por në fund Cana mbeti te gjiganti turk. Natyrisht, deri në qershor, sepse mediat turke, por edhe ato tjera, vazhdimisht shkruajnë për një largim të mundshëm të tij nga Galatasaray gjatë verës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›