E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Dialogu do të jetë vetëm teknik

Nga Express më 01 prill 2011 në ora 17:00

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi do të jetë me karakter teknik dhe ky dialog i shërben qëllimit të përmirësimit të marrëdhënieve rajonale, por veçanërisht afrimit të Kosovës me BE-në.

Ajo këto komente i bëri të premten gjatë një konference të përbashkët për media në Tiranë me shefin e diplomacisë shqiptare Edmond Haxhinasto, me ç’rast këmbënguli disa herë në përsëritjen e qëndrimit se dialogu do të jetë vetëm teknik, mes dy shteteve të pavarura.

“Dialogu Kosovë-Serbi ka karakter teknik dhe ka për qëllim që të adresojë çështjet teknike që rëndojnë marrëdhëniet mes dy vendeve që nga përfundimi i luftës dhe ju siguroj që ky dialog nuk do të marrë dimensione të tjera”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se objektiv kryesor është përmirësimi i jetës së qytetarëve mes dy vendeve, dhe përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe afrimin e Kosovës drejt BE-së.

Për Tahirin dialogu i nisur në Bruksel ka të bëjë me zgjidhjen e konfliktit të ri, aktual, pas luftës në vitin 1999, një çështje që ka të bëjë mes dy shteteve Kosovë- Serbi dhe zgjidhja do të gjendet mes këtyre dy vendeve.

Sa i përket faktit nëse dialogu do shërbejë edhe për zgjidhjen e konfliktit territorial qindravjeçare mes serbëve dhe shqiptarëve, ide e hedhur nga presidenti serb Boris Tadiq në një deklaratë të pak ditëve më parë në një seminar në Bruksel, Tahiri ishte spektike.

“Serbia është e njohur për provokime dhe lancime të formave jo serioze. Sepse ide të tilla madhore për paqe e stabilitet nuk bahen me retorikë mediatike, ato bëhen me politika dhe vepra, ndërsa historia e Serbisë në Ballkan, në këto 20 vjet dihet çfarë është, nuk ishin konstruktiv, përkundrazi sot e kësaj dite janë pengesë për zhvillimet rajonale. Pengojnë pjesëmarrje të barabarta të shteteve në iniciativa të përbashkëta për zhvillime rajonale”, ka thënë ai.

Nga ana e tij, Haxhinasto deklaroi se ky proces dialogu do të jetë teknik për probleme që kanë të bëjnë me të drejtat e qytetarëve, ku Kosova prezantohet si një shtet sovran, me të drejta të plota.

“Është e rëndësishme që Kosova të përfshihet në një proces të shpejte të integrimit në BE dhe një procesi te shpejtë të marrjes së statusit të vendit kandidat", tha shefi i diplomacisë shqiptare. Në përfundim numri dy i qeverisë shqiptare i cilësoi të mira edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, të cilat zhvillohen në të gjitha planet e bashkëpunimit”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›